Më shumë se 4 milionë amerikanë lanë punën vetëm gjatë muajit gusht

Gati 4.3 milionë amerikanë shkëputen marrëdhëniet e tyre të punës gjatë muajit gusht, numri më i lartë i regjistruar që kur qeveria filloi mbledhjen e të dhënave 20 vjet më parë.

Ky nivel përkon me një rritje të theksuar të aplikimeve për hapjen e bizneseve të reja, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kryesisht ndërmarrje individuale.

“Po shohim që shumë njerëz e shfrytëzojnë këtë mundësi për të bërë diçka ndryshe”, shprehet profesoresha e menaxhimit, Jacqueline Kirtley.

Ajo shton se njerëzit e kanë lënë vendin e punës për arsye shumë pragmatike, si shqetësimi për sigurinë personale, mungesa e kujdesit ndaj fëmijëve ose sepse pandemia COVID-19 i ka bërë të rimendojnë karrierën apo qëllimet në jetë.

“Kjo është fantastike në shumë mënyra. Është sfiduese sepse tregu i punës nuk duket sikur punëdhënësit janë mësuar me të. Këtë mund ta vëreni sa herë që shkoni në një restorant, pasi që ata kanë tavolina bosh, sepse nuk kanë personel të mjaftueshëm”, shton ajo.

Rrugëtimi i vetëm

Rritja e bizneseve të reja tregon se shumë punëtorë po largohen për të filluar ëndrrën e tyre. Derisa, ndërmarrësia është e mirë për ekonominë, Kirtley vë në dukje se jo secili prej tyre në të ardhmen do të jetë Jeff Bezos ose Elon Musk.

“Ne i kushtojmë shumë vëmendje këtyre historive fantastike të bizneseve unicorn [kompani e re private me vlerë mbi 1 miliard dollarë] dhe firmave me këtë vlerësim astronomik, mirëpo shumica e tyre është shumë më e vogël se kaq”, thotë ajo, duke shtuar se ka shumë hapësirë midis kompanive unicorn dhe ndërmarrjeve të vogla individuale.

Ndërmarrësia është gjithashtu aspiruese, gjë që mund të shpjegojë pse kaq shumë njerëz duan ta provojnë atë.

“Ne jemi fansa të mëdhenj të historive për heronjtë në ndërmarrësi. Ne shohim se çfarë kanë arritur njerëzit e tjerë përkundër vështirësive dhe jemi frymëzuar nga kjo. Na jep shpresë dhe fuqi që ta bëjmë vetë”, thotë Kirtley.

Ajo gjithashtu vë në dukje se nëse puna nga shtëpia vazhdon, atëherë kjo ka potencialin të ndryshojë kulturën e vendit të punës.

Në fund, Kirtley pret që do të ketë pak luftë për pushtet, e cila sipas saj, mund të zgjidhet nëpërmjet kompanive të mëdha, duke rritur pagat dhe ofruar fleksibilitet për të joshur punëtorët.

/Telegrafi/

Read Previous

​7 raste të reja me COVID-19

Read Next

Javë me mot të ndryshueshëm, nga nesër rikthehen reshjet e shiut