Mbi 1 mijë vizitorë gjatë korrikut në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

Muzeu Arkeologjik Durrës ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit korrik, si për Muzeun ashtu edhe për Amfiteatrin Antik.

Numri i vizitorëve vendas e turistëve të huaj, ka pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm gjatë muajit korrik, Muzeu Arkeologjik, është vizituar nga 1818 persona, duke pasur një rritje prej rreth 1000 vizitorësh më shumë se në vitin 2021.

Ndërsa rritja e vizitorëve në Amfiteatrin e Durrësit ka qenë edhe më e madhe. Një vit më parë, në 2021, objekti u vizitua nga 586 persona, ndërsa këtë vit numri i vizitorëve arriti në 2573.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit i ofron vizitorëve edhe shërbimin e audioguidave. Audioguida në këtë Muze ofrohet në 2 gjuhë. Vizitorët mund të shijojnë jo vetëm objektet arkeologjike që kanë udhëtuar përmes shekujve, por edhe historinë e tyre.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri, ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit. Një shembull për t’u admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte, që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit, deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës./ atsh / KultPlus.com

Read Previous

Punimet për zëvendësimin e rrjetit të ri të ngrohtorës janë afër finalizimit

Read Next

100-vjetori i lindjes së Loro Boriçit