Mario Mitaj përfundon në radarin e gjigantit italian

Klubi italian, Juventusi thuhet se do ta përcjell nga afër mbrojtësin e kombëtares së Shqipërisë, Mario Mitaj, i cili pëlqehet shumë si profil.

Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Guintoli po synon të jetë gati në momentin e transferimeve me ide të qarta dhe fleksibilitet, pavarësisht se cilat do të jenë zgjedhjet në drejtimin teknik për sezonin e ardhshëm.

Jo se ky qëndrim është dytësor për fushatën e blerjeve dhe transferimeve, megjithatë vëzhgimet që po bën drejtori sportiv shkojnë përtej një lidhjeje të saktë tekniko-taktike: po kërkohen profile të ndryshme, si në eksperiencë, por edhe në perspektivë.

Sipas gazetës me bazë në Torino, Tuttosport, drejtuesit e Juventusit do të vëzhgojnë nga afër rritjen e një futbollisti interesant dhe për të ardhmen.

Bëhet fjalët për mbrojtësin kuqezi, Mario Mitaj, të cilit Juventusi do t’i hedhë një sy të premten, pasi nuk do të ketë nevojë të shkojë larg: Shqipëria luan në Ennio Tardini në Parma në miqësoren ndërkombëtare kundër Kilit.

Mbrojtësi i lindur në vitin 2003 ka rënë në sy që nga debutimi i tij me trajnerin Edy Reja më 31 mars 2021 në Serravalle të San Marino, kur Mario ishte vetëm 17 vjeç, 7 muaj e 25 ditë.

Guintoli dhe Juventusi e shohin Mitajn si një profil të ngjashëm dhe me një potencial të dukshëm sikurse Khvicha Kvaratskhelia apo Kim min-jae.

Klubi italian gjithashtu beson se Mitaj do të përshtatej lehtë në Itali, pasi ka shumë bashkëkombës aty si Berat Gjimshiti, Kristajn Asllani, Ylber Ramadani, Elseid Hysaj, Etrit Berisha dhe Marash Kumbulla. Edhe agjenti i tij, Silvio Pagliari, është gjithashtu italian.

Në nivel klubesh, Mitaj mbron ngjyrat e Lokomotiv Moskës, e pesta në ligë dhe klubi nga kryeqyteti rus i kishte paguar 3 milionë në verën e vitit 2022 për ta marrë nga Aek Athens. /Telegrafi/

Read Previous

Osmani: Kur përjashtohen vajzat dhe gratë nga proceset e vendimmarrjes, kufizohet e tërë shoqëria

Read Next

Hovenier takohet me Bislimin