Lufta në Ukrainë, Papa: Moralisht e drejtë të furnizohet Kievi me armë

Pas nisjes së luftës në Ukrainë Papa Francesku u duk se i qëndroi besnik politikës së kahershme të Vatikanit për të mos mbajtur anë, para se të ndryshonte qasje dhe të pranonte se Rusia ishte agresori. Tani kreu i Selisë së Shenjtë shkon më tej, duke pohuat për herë të parë, se furnizimi me armë i Ukrainës për ta ndihmuar të vetëmbrohet, është moralisht legjitim.

 “Mund të ishte e pamoralshme nëse qëllimi është të provokohet më tej lufta, apo të shiten armë kur nuk është e nevojshme. Por të mbrosh veten është diçka e ligjshme, e gjithashtu një shprehje e dashurisë kundrejt atdheut”, deklaroi kreu i Kishës Katolike. 

Këto komente, Papa Francesku i bëri për gazetarët në udhëtimin e kthimit nga vizita tre ditore në Kazakistan. Ai i kërkoi gjithashtu Kievit të jetë i hapur për dialog të mundshëm me Moskën, edhe pse e pranoi se për palën ukrainase do të ishte shumë e vështirë.

“Është e vështirë të dialogosh me vendet që kanë nisur luftën. Është vështirë por ne nuk mund të refuzojmë një mundësi të tillë, duhet t’ia japim kujtdo këtë shans, pasi me dialog gjithmonë mund të ndryshojmë gjërat”, shtoi Francesku.

 Ndërsa e ka dënuar vazhdimisht luftën në Ukrainë, Papa u vu në shënjestër të kritikave muajin e kaluar pasi iu referua Daria Duginës, vajzës së një ultranacionalisti rus, e vrarë në një shpërthim me bombë pranë Moskës, si një viktimë e pafajshme e luftës./A2news/

Read Previous

Shtatë viktima nga përmbytjet në Marche të Italisë

Read Next

Mediat meksikane: Karteli i Sinaloas pastron paratë në Shqipëri