Gjatë vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka qenë një faktor kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues përmes vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ky vit u karakterizua nga një ngarkesë mesatare e çështjeve ligjore të kontestuara, shpeshherë të paraqitura nga deputetë, institucione kushtetuese ose Avokati i Popullit. Përveç sfidave të zakonshme të interpretimit kushtetues, Gjykata u ballafaqua edhe me ngërçe institucionale në Kuvend, duke interpretuar Kushtetutën për çështje procedurale lidhur me konstituimin e Kuvendit – një rol që thekson rëndësinë e saj në garantimin e funksionimit të institucioneve kushtetuese.
Një nga çështjet e para të shqyrtuara më 2025 ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitave kalimtare të Ligjit Nr. 08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Kjo kërkesë u paraqit nga një grup deputetësh të dy partive kryesore parlamentare, të cilët argumentuan se paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 cenonin parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, të drejtës për mjete juridike të efektshme dhe mbrojtjes së pronës, si dhe të drejtës për të ushtruar profesionin pa diskriminim.
Gjykata u angazhua thellë me argumentet mbi përmbajtjen e këtyre dispozitave, duke analizuar normat kushtetuese të artikuluara në nenet 3, 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe duke vlerësuar nëse kufizimet e parashtruara për zyrtarët publikë ishin të arsyeshme dhe proporcionale me qëllimet ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Kushtetuese në këtë rast kishte konstatuar se paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 18 të Ligjit Nr. 08/L‑294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L‑197 për Zyrtarët Publikë nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Konkretisht, Gjykata vlerësoi se këto dispozita kalimtare janë në përputhje me mbrojtjen e pronës (neni 46), parimin e barazisë para ligjit (nenet 3 dhe 24), si dhe me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta, përfshirë të drejtën për mjete juridike efektive, të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, si dhe dispozitat për interpretimin dhe kufizimin e të drejtave themelore.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Ligji Nr. 08/L‑294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L‑197 për Zyrtarët Publikë të dërgohet te Presidentja e Republikës së Kosovës për shpallje. Ky veprim formal i Gjykatës shënon përfundimin e shqyrtimit kushtetues të ligjit dhe mundëson që ai të hyjë në fuqi si ligj i vlefshëm.
Një tjetër çështje e rëndësishme mori për bazë Ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore. Këtu, Avokati i Popullit kontestoi disa dispozita të ligjit, duke argumentuar se ato shkelin të drejta si e drejta për privatësi, barazi para ligjit dhe mbrojtje efektive juridike. Mes dispozitave të kontestuara ishin nenet që rregullojnë mbledhjen e informatave, procedurat e vetë-vlerësimit, rimbursimet tatimore si dhe rregullimet e emërimeve disiplinore në administratën tatimore.
Gjykata Kushtetuese kaloi në një analizë të detajuar kushtetuese të secilës dispozitë të kontestuar. Ajo arriti në përfundim se disa paragrafë, përfshirë ato që lidheshin me mbledhjen e informatave nga organet tatimore dhe mënyrën e emërimit të pozicioneve drejtuese, përbënin shkelje të disa parimeve kushtetuese dhe i shpallën ato dispozita të pavlefshme. Ndërsa dispozitat e tjera janë vlerësuar si në përputhje me Kushtetutën, ky vendim nënvizon qartë që Gjykata është e gatshme të shfuqizojë pjesë të ligjeve sa herë që ato cenojnë të drejta themelore të garantuara.
Gjatë vitit 2025, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi rastet KO152/24 dhe KO158/24, të cilat lidhen me kushtetutshmërinë e Ligjit Nr. 08/L‑289 për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në rastin KO152/24, kërkesën e paraqiti Abelard Tahiri dhe 9 deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa në rastin KO158/24, kërkesën e paraqiti Arben Gashi dhe 9 deputetë të tjerë të Kuvendit. Këto kërkesa synonin shqyrtimin e dispozitave të ligjit që rregullojnë mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit, kompetencat e institucionit, lejet e transmetimit, pronësinë e të licencuarve, si dhe sanksionet me gjobë, duke argumentuar se ato mund të cenonin parimet kushtetuese dhe pavarësinë e mediave.
Pas shqyrtimit të argumenteve dhe analizës së detajuar, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dispozitat kyçe të ligjit nuk përputheshin me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përfshirë nenin 7 për vlerat kushtetuese dhe nenin 141 për Komisionin e Pavarur të Mediave. Si rrjedhojë, Gjykata vendosi shfuqizimin e të gjithë Ligjit Nr. 08/L‑289, duke theksuar rëndësinë e kontrollit kushtetues për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve të mediave dhe garantimin e lirisë së shprehjes.
Po ashtu në këtë vit, Kushtetuesja shqyrtoi edhe rastet KO153/24 dhe KO156/24, të cilat lidhen me kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit Nr. 08/L‑249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L‑056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në rastin KO153/24, kërkesën e paraqiti Abelard Tahiri dhe 9 deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa në rastin KO156/24, kërkesën e paraqiti Arben Gashi dhe 9 deputetë të tjerë.
Kërkesat synonin shqyrtimin e neneve 2, 5, 6, 7, 13 dhe 16 të ligjit, për të vlerësuar nëse ato janë në përputhshmëri me Kushtetutën, sidomos me nenet që rregullojnë Këshillin Prokurorial të Kosovës, kompetencat e Kuvendit dhe vlerat kushtetuese.
Pas shqyrtimit, Gjykata vendosi se disa dispozita të kontestuara, përfshirë nënparagrafët e nenit 5 dhe nenin 7, si dhe nenin 16 të ligjit, nuk bien në kundërshtim me Kushtetutën, duke konfirmuar përputhshmërinë e tyre me nenin 110 për Këshillin Prokurorial, nenin 65 për kompetencat e Kuvendit dhe parimin e vlerave kushtetuese. Në përfundim, Gjykata shpalli kërkesat të pranueshme dhe vendosi që ligji të dërgohet te Presidentja e Republikës së Kosovës për shpallje, duke mundësuar hyrjen e tij në fuqi. Ky vendim siguron që ndryshimet në ligjin për Këshillin Prokurorial të jenë në përputhje me standardet kushtetuese dhe funksionimin institucional të sistemit të drejtësisë.
Një tjetër aktgjykim i vitit 2025 trajtoi dispozitën e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (shtesa e nenit 8A), e kontestuar nga Avokati i Popullit, të cilën Gjykata e vlerësoi përputhshmërinë me parimet kushtetuese të barazisë dhe ndalimit të diskriminimit. Ky shqyrtim u fokusua në një dispozitë të veçantë që kishte shkaktuar debate mbi mënyrën e trajtimit të pensionistëve në bazë të përfitimeve të reja.
Përmes interpretimit për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se neni 4 i Ligjit Nr. 08/L‑248, i cili shton nenin 8A në Ligjin Nr. 04/L‑131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vendimi konfirmon se dispozita e re respekton parimin e barazisë para ligjit (neni 24) dhe ndalimin e diskriminimit sipas Kushtetutës (neni 14), ashtu edhe sipas Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky vlerësim siguron që shtesa ligjore për skemat pensionale është në përputhje me standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Përtej tre çështjeve të përmendura më lartë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi edhe ligje që lidhen me sektorin financiar dhe administrativ. Në rastin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Ligjit për Bankat (AGJ2685/25 dhe AGJ2686/25), Gjykata konstatoi se disa dispozita ishin në përputhje me Kushtetutën, ndërsa të tjera u shpallën të pavlefshme, veçanërisht ato që kufizonin të drejtat e subjekteve private ndaj bankave dhe institucioneve financiare.
Në rastin e Ligjit për Inspektoratin Qendror për Mjedisin, Ujërat dhe Ndërtimin (AGJ2687/25), Gjykata shqyrtoi kompetencat dhe procedurat e inspektoratit dhe vendosi që disa nene të kontestuara duhej të harmonizoheshin më mirë me të drejtat e individëve dhe subjekteve private.
Në të dy rastet, Gjykata ka vepruar si një kontroll efektiv kushtetues, duke siguruar që ligjet të jenë në përputhje me parimet e barazisë, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të individëve.
Përveç shqyrtimeve të ligjeve të kontestuara dhe çështje të tjera, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar edhe disa norma kushtetuese me impakt institucional, veçanërisht lidhur me ngërçet në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Gjatë vitit 2025 ajo ka dhënë gjithsej pesë vendime që kanë treguar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit dhe detyrime kushtetutese që deputetët të përmbushin detyrimet kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve brenda afateve të caktuara.
Këto vendime nënvizojnë se, përpos funksionit të saj tradicional të kontrollit kushtetues të ligjeve, Gjykata ka qenë e detyruar të ndërhyjë edhe në çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, një rol që është bërë vendimtar për stabilitetin kushtetues kësaj periudhe.
Viti 2025 dëshmoi një angazhim të jashtëzakonshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi, përfshirë shqyrtimin e dispozitave të diskutueshme, analizën e të drejtave themelore dhe balancimin e pushteteve. Çdo vendim përmban jo vetëm një interpretim të qartë të normave kushtetuese, por edhe një mesazh të rëndësishëm për legjislativin që ligjet duhet të jenë në përputhje me parimet kushtetuese, pa cenuar të drejtat dhe liritë themelore.
Në këtë kuptim, viti 2025 shënon një kapitull të rëndësishëm në praktikën kushtetuese të Kosovës – një vit ku kontestimet e ligjeve u trajtuan me profesionalizëm, duke ndihmuar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe parimeve kushtetuese në vend. /BetimipërDrejtësi