Lëshohen në Hapësirë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në Shqipëri njoftoi sot lëshimin në hapësirë të dy satelitëve Albania 1 dhe 2 nëpërmjet Falcon 9 të misionit Transporter-6, nga Space Launch Complex 40 (SLC-40).

Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar edhe momentin e ngritjes së tyre në hapësirë. Lëshimi i satelitëve “Albania 1&2” u bë nga kompania SpaceX, përmes raketës Falcon 9, e cila u ngrit në misionin e dedikuar Transporter 6. Lëshimi u bë nga Stacioni Hapësinorë “Cape Canaveral” në Florida.

Në 2021 kur u përmend për herë të parë mundësia e Shqipërisë për të pasur dy “sytë“ e saj në Hapësirë, u prit me mosbesim dhe humor, por sot kryeministri Rama e cilëson atë si një premtim të mbajtur. “Ja dhe kjo, u tha, u bë.

Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, shkruan Rama. Në bordin e Falcon 9 ndodhen 114 ngarkesa që do të lëshohen në Hapësirë, mes të cilave edhe satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Më herët Rama i kishte cilësuar lëshimin e dy satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2” në Hapësirë si udhëtimin historik të vendit tonë, në orbitë.  Qëllimi i dy satelitëve është për një kontroll sa më të mirë të territorit shqiptar. Përdorimi i mjeteve hapësinore do të jetë për çështje që ka të bëjë me punët civile të vendit dhe mbi luftën kundër krimit të organizuar apo për kontrollin e lëndëve narkotike, por edhe identifikimin e hapësirave të djegura. 2 satelitët do t’i kushtojnë shtetit shqiptar 6 milionë dollarë për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh dhe qeveria e Shqipërisë do të ketë akses prioritar në satelitët “Albania 1 & 2”.

Read Previous

Asnjë aksident me fatalitet nuk është shënuar gjatë festimeve në Gjakovë

Read Next

Moti sot