Latifi: “Partneriteti ShBA-Kosovë, i qëndrueshëm – ‘Ftohja e raporteve’, ekzagjerim i opozitës”

“Partneriteti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është i qëndrueshëm”.

Kjo, sipas profesorit universitar dhe filozofit Blerim Latifi, është ajo çfarë mund të kuptohet nga takimi i djeshëm në Departamentin amerikan të Shtetit.

Interpretimet mbi “ftohjen e raporteve” kanë qenë të nxitura kryesisht nga opozita, vlerësoi Latifi.

Një gjë tjetër që mund të kuptohet nga takimi mes liderëve kosovarë dhe amerikanë, sipas Latifit është se administrata Biden në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi do të jetë vazhdimësi e saj çfarë ishte administrata e Obama-s.

“Partneriteti SHBA – Kosovë është i qëndrueshëm. Kjo do të thotë se interpretimet mbi ftohjen e marrëdhënieve midis dy vendeve kanë qenë, me gjasë, ekzagjerime, kryesisht të nxitura nga opozita”, shkroi Latifi.

“A duhet që për këtë tash t’ia nxjerrim sytë opozitës? Jo. Ajo po përpiqet ta sajojë tregimin e saj kundër pushtetit dhe kjo është krejtësisht legjitime në demokraci. Madje, edhe e domosdoshme, sepse nuk ka demokraci aty ku ekziston veç tregimi i pushtetit për realitetin. Nëse tregimi i saj nuk ecën, vetë opozita i bartë pasojat”.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, filozofi Latifi e shpjegoi jo përtej optikës se si e kishte trajtuar administrata e Barack Obama-s, në të cilën administartë ishte ishte Presidenti i tanishëm, Joe Biden, atëkohë Zv/President.

“Kjo mund të kuptohet si njëlloj vazhdimësie e qëndrimit amerikan gjatë administratës Obama, kur e gjithë barra e dialogut iu la në duar europianëve. Pra, me gjasë, nuk duhet të presim ndonjë angazhim më aktiv e praktik nga Uashingtoni për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit tonë me Serbinë”, shkroi Blerim Latifi.

“Kështu, i lënë në mëshirën e pafuqisë europiane dhe të pafuqisë së Beogradit e Prishtinës për të arritur vetë një marrëveshje të paimponuar nga Perëndimi, ky problem do të vazhdojë të na mbajë peng të një status quoje qartësisht të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Mbase edhe për një kohë të gjatë, fatkeqësisht”.

Si konkluzion, Latifi shton se “amerikanët nuk na janë hidhëruar, vazhdojnë të na duan, vazhdojnë ta duan më të mirën për ne, por nuk kanë kohë të merren aq shumë me andrallat tona, sepse andrallat tona nuk çojnë peshë në trazirën e madhe gjeopolitike e cila e ka përfshi botën”. /Albanianpost.com

Read Previous

IKD: Gjykata në Gjakovë më efikasja në zgjidhjen e lëndëve të krimeve të rënda

Read Next

Rama: Plazhi i Pishë-Poros, destinacion që pret çdo ditë dhjetëra pushues