Me trajner të ri në stol, Drita synon fitore ndaj Tre Fiorit
Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet sot në një seancë plenare që nis në orën 10:00, në ditën e fundit të afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi. Me këtë hap hapet rruga për formimin e institucioneve të reja, por paralelisht shtohen dilemat për funksionimin e pozitës së presidentit.
Pas mbledhjes së deputetëve, procedurat fillojnë me krijimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve. Pas miratimit të raportit të tij, deputetët do të japin betimin, ndërsa më pas pritet të nisë gara për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, sfida më e madhe mund të shfaqet pas formimit të institucioneve të reja, veçanërisht në lidhje me ushtruesin e detyrës së presidentit. Ata rikujtojnë se neni 90 i Kushtetutës kufizon këtë mandat në gjashtë muaj.
Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, Kosova mund të përballet me një situatë të pazakontë juridike, pasi nuk ekziston një procedurë e përcaktuar qartë për tejkalimin e këtij kufiri.
Analistët politikë e lidhin këtë rrezik me mungesën e një marrëveshjeje mes subjekteve politike për sigurimin e 80 votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.
Në këtë situatë, përplasjet politike mund të zhvendosen në arenën juridike, me mundësi interpretimesh të reja dhe përfshirje të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, një nga skenarët që përmendet është edhe rikthimi te zgjedhjet e reja, nëse institucionet nuk arrijnë të funksionalizohen brenda afateve të përcaktuara.
Legjislatura e re e Kuvendit vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. /RTKlive