Kurti: Amerikën e konsiderojmë partner të padiskutueshëm, por nuk lejojmë që republika të bie në duart e milicisë fashiste

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka dhënë një intervistë në BBC Radio, ku ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe tensionet në Veri të Kosovës. 

Kurti, mes tjerash ka thënë se kryetarët e komunave në veri të vendit duhet të jenë në objektet komunale, dhe kështu do të vazhdojë të jetë, siç tha ai, së paku deri të largohen bandat kriminale në veriun e vendit.

“Në këto tri komuna ne kemi tri objekte komunale dhe nëse jo kryetarët, kush duhet të jetë aty. Dhe nëse këto komuna nuk janë për kryetarët, për kënd janë? Kryetarët janë në zyrat e tyre, kështu duhet të jetë dhe të qëndrojë. Ata janë struktura ilegale të ndikuara nga Beogradi që duan ta destabilizojnë vendin tonë. Ne duam republikë demokratike, dhe në këto objektet ne mund ta zbusim numrin e policisë, por së pari bandat që kanë sulmuar gazetarët, policinë dhe KFOR-it duhet të shkojnë në Serbi ose në burg”, tha Kurti.

Kur u pyet për kompromise, Kurti tha se “nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike, duke qenë kryeministër i republikës më demokratike në Ballkan. Vuçiq është autokratik. Serbia nuk lejon serbët në Kosovë të kenë më shumë se një parti”. 

Ai ka folur edhe për reagimet e ashpra ndaj Kosovës nga faktori ndërkombëtar për veprimet e Kosovës në këtë situatë.

“Ne konsiderojmë Amerikën dhe BE-në, botën perëndimore si partnerë të padiskutueshëm. Por ne nuk mund të lejojmë që republika demokratike të bie në duart e milicisë fashiste, që kryesohen nga ministri i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk janë distancuar nga Millosheviqi, nuk janë distancuar nga Putini, Serbia është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Disa mund të komplikojnë, por situata është e thjeshtë”, deklaroi Albin Kurti./Sinjali/

Read Previous

Kanali i Panamasë, 119 vite më parë ShBA-ja filloi punimet për hapjen e Kanalit që lidh Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor

Read Next

Escobar: Urgjentisht, urgjentisht të fillojë puna për Asociacionin