Instituti GAP: Kryetarët e komunave nuk i përmbushën 636 premtime

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të 27 kryetarëve të komunave, ku tha se nga 1 mijë e 816 premtime, 473 janë përmbushur, 285 janë gjysmë të përmbushura, 422 janë të filluara dhe 636 nuk kanë filluar ende.

Sipas GAP-it, numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.

“Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre”.

“Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shënjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave. Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore”, thuhet në njoftimin e GAP-it.

Kurse, bëhet e ditur se numri më i vogël i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e urbanizmit, sportit dhe infrastrukturës.

“Në këtë të fundit, nga gjithsej 199 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, deri më tani janë përmbushur vetëm 13 premtime (7%). Në periudhën e njëjtë të mandatit të kaluar, kjo fushë printe me numrin e premtimeve të përmbushura. Ngecje vërehet edhe në fushën e urbanizimit, sikurse në hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane dhe hartave zonale”, bëri të ditur GAP-i.

/klankosova/

Read Previous

Deputeti i PE-së, Borrellit: Lëri paragjykimet kundër Kosovës që ngjasojnë si ato të Spanjës

Read Next

Haxhiu: Këtë vit do të votohet Kodi Civil