Kriza e klimës rrezikon pasuritë natyrore

Për këtë arsye, Organizata bën thirrje për më shumë veprim dhe më shumë financime nga qeveritë, me qëllim përmirësimin e menaxhimit.

Pasuria ujore globale është në rrezik dhe nëse vendet në mbarë botën nuk miratojnë urgjentisht reforma për të rritur bashkëpunimin mes tyre dhe njëkohësisht financimet, atëherë një krizë është e pashmangshme.

Paralajmërimi është bërë të martën nga Agjencia e OKB-së për Meteorologjinë, sipas të cilës, ndryshimet e klimës, si përmbytjet dhe thatësira, do të rrisin rrezikun për mungesën e ujit dhe numri i njerëzve që do ta vuajnë atë do të rritet.

“Impakti i ndryshimeve të klimës ndihet kryesisht tek uji, që është gjithashtu një ndër përbërësit kyç të katastrofave natyrore. Përmbytjet dhe thatësirat janë katastrofat më të zakonshme dhe njëkohësisht me impaktin më të madh tek jeta e njeriut dhe ekonomia,” – deklaroi Petteri Taalas nga Organizata Botërore e Meteorologjisë.

Organizata Meteorologjike Botërore vlerëson se numri i personave që nuk do të kenë një akses të përshtatshëm tek uji do të kalojë kuotën e 5 miliardëve brenda 2050-s, nga 3.6 miliardë që ishte në 2018-n.

Për këtë arsye, Organizata bën thirrje për më shumë veprim dhe më shumë financime nga qeveritë, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të rezervave të ujit. Gjithashtu, ajo e vë theksin tek nevoja për ndërtimin e sistemeve më të avancuara të paralajmërimit të përmbytjeve në Azi dhe thatësirës në Afrikë.

“Ne duhet të përmirësojmë menaxhimin e burimeve ujore në vendet në zhvillim dhe në ato më pak të zhvilluara dhe duhet të investojmë në shërbimet kundër thatësirës dhe përmbytjeve, sidomos në Afrikë dhe Azi. Në këto sisteme kemi mangësi e po ashtu edhe në shkëmbimin e informacionit, gjë që duhet të ndryshojë,” – tha Taalas.

Pavarësisht disa tepricave të verifikuara në rezervat ujore, organizata ka konstatuar se 107 vende janë larg arritjes së objektivit për të pasur një furnizim të qëndrueshëm me ujë brenda 2030-s./Burimi:EuroNews

Read Previous

Sindikata e Doganës: Dje në veri u rrezikua jeta e oficerëve doganorë

Read Next

AUV brenda këtij viti ka asgjësuar mbi 50 mijë kg mish