KQZ-ja e gatshme t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të organizojnë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse.

Kështu ka deklaruar të mërkurën në një prononcim për Telegrafin zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Sipas tij, KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Prandaj, Elezi ka thënë se  do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vendit.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim për caktimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Ky grup punues mbështetet nga Kabineti i Ministrit të MAPL-së, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të ambasadave dhe OSBE-ja.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ deri me 1 shtator 2023. /Telegrafi/

Read Previous

Këshilltarja e Kurtit, Elizabeth Growing jep dorëheqje nga zyra për komunitete

Read Next

IKD: Mbi 99 mijë lëndë civile të pazgjidhura, kohëzgjatja e zgjidhjes së rasteve deri në 4 vjet