Kosova me qindra zjarrfikës mangët

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka thotë se menaxhimi dhe parandalimi i përhapjes së zjarreve paraqesin shqetësim për të, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të zjarrfikësve.

Në nivel vendi, sipas tij, janë rreth 800 zjarrfikës – kapacitete këto të pamjaftueshme për t’u përballur me ndonjë katastrofë natyrore apo me vatra të mëdha të zjarreve.

Ai konsideron se në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës, rreth 1.8 milion, Kosovës i nevojiten edhe 400 zjarrfikës.

Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.

Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave në vend nuk iu përgjigj interesimit të REL-it rreth numrit të zjarrfikësve, përkatësisht sa është i mjaftueshëm ai.

Tahir Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë se zjarrfikësit janë reaguesit e parë në rast të çfarëdo fatkeqësie natyrore dhe, për këtë arsye, rritja e numrit të tyre do të duhej të ishte prioritet për institucionet kompetente.

“Kur jemi te fatkeqësitë natyrore apo zjarret, duhet që çdoherë të jemi të përgatitur, sepse shteti apo institucionet nuk mund t’i parandalojnë fatkeqësitë natyrore, mirëpo duhet të jenë të përgatitura”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Zjarrfikësit në Kosovë punojnë pa sigurime shëndetësore, ndërsa paga e tyre bazë është 520 euro.

Për shkak të temperaturave të larta, në javët e fundit, zjarret në Mesdhe kanë shkaktuar vdekjen e mbi 40 personave.

Në luftë të ashpër me to ka qenë sidomos Greqia, ku dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë.

Për valën ekstreme të të nxehtit në Evropën jugore – në disa vende mbi 44 gradë Celsius – janë fajësuar sidomos ndryshimet klimatike /REL

Read Previous

Rama pas mbledhjes me Qeverinë: Diskutuam për riorganizimin e procesit qeverisës

Read Next

Morawiecki: Pjesëtarë të Wagnerit mund të paraqiten si migrantë për të hyrë në BE