Pasditja e së hënës u përfshi nga reshjet e mëdha të borës. Këto reshje të mëdha shkaktuan tollovi në trafik, megjithatë nga Ministria e Infrastrukturës kanë njoftuar se të gjitha kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen verore e dimërore të rrugëve kanë dalë në terren për të bërë pastrimin borës në rrugët regjionale, nacionale dhe në autoudhë.
Në webfaqen zyrtaret Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka treguar dhe ka publikuar raportet për gjendjen e rrugëve të cilat të shpijnë në pikat e kalimit kufitar. Magjistralja Fush-Pajtimit-Glloboçicë është e kalueshme vetëm me pajisje dimërore për automjetet, ndërsa është e pakalueshme për maunat. Po ashtu e pakalueshme për maunat është edhe rruga Pejë-Kullë.
Ndërsa rrugët tjera në pikalimet kufitare si Vërmicë, Qafë Morinë, Qaf Prush, Mërdarë, Jarinje thuhet se janë të kalueshme por me pajisje dimërore. Ndërsa sa i përket reshjeve të borës në rajonin e Gjakovës dendësia është më e vogël në zonën urbane kurse në zonat rurale dhe viset malore dendësia e reshjeve është më e madhe por, pavarësisht kësaj, pothuajse të gjitha rrugët në këto zona janë qarkullueshme.
Me këtë rast apelohet për kujdes të shtuar nga vozitësit si dhe shmangie të qarkullimit përreth zonave malore, apo të posedojnë pajisjet dimërore në mënyrë që të mos kenë vështirësi në qarkullim. Ndërkohë sipas Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës thuhet se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë reshje bore.Ndërsa java e dytë e muajit shkurt do të karakterizohet me mot relativisht të qëndrueshëm.