Ish-kryeshefi i KRU “Gjakova” pritet të ekstradohet në Itali

Ish-kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, pritet të ekstradohet në Itali. I njëjti ndodhet në burg në Bullgari që nga 23 shkurti. Nga Ministria e Punëve të Jashtme i kanë thënë Gazetës Express se nuk janë njoftuar nga autoritetet bullgare për natyrën e veprës, por se vetëm është ndaluar pasi ka qenë në kërkim nga Interpoli, përkatësisht Italia. Sipas raportimeve në media, urdhër arresti ndaj tij është lëshuar nën dyshimet për trafikim me qenie njerëzore.

Autoritet bullgare kanë filluar procedurat për ta ekstraduar në Itali Ish-kryeshefin e KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqin. Ai u ndalua nga autoritetet me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut, pasi rezultoi se ishte në kërkim nga Interpoli.

Nisjen e procedurës ligjore për ekstradim e ka konfirmuar për Gazetën Express Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Nga ky institucion kanë deklaruar se sipas informatave të fundit zyrtare që kanë, ai ndodhet në burg në Bullgari që nga 23 shkurti.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar nga autoritetet bullgare se ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, (H.K.) po zhvillohet procedura ligjore për ekstradim në bazë të fletë-arrestit evropian. Nga informatat e fundit zyrtare që posedojmë shtetasi i sipërpërmendur ndodhet në burg në shtetin e Bullgarisë që nga data 23 shkurt, 2024”, ka deklaruar MPJ.

Por, Ministria ende nuk e di se për çfarë vepre është arrestuar Krasniqi. Një informatë të tillë thotë se nuk e ka marrë nga autoritetet bullgare.

“MPJD nuk është njoftuar nga autoritetet bullgare, për natyrën e veprës, por vetëm se i njëjti u ndalua pasi ishte në kërkim nga Interpol – Italia. Nga informatat që posedojmë Gjykata bullgare nuk merret me veprën, por vetëm me procedurën për ekstradim”, thuhet në përgjigjet e MPJD’së.

Sipas raportimeve në media, Krasniqi është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.

Gjithnjë sipas raportimeve, Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar me 16 janar 2024./Express

Read Previous

Kosova në hendboll publikon listën për dy ndeshjet e marsit

Read Next

Sagrada Familia në Barcelonë do të përfundojë në vitin 2026