Ish-kreu i NATO-s: Dialogu me Rusinë duhet të bazohet në forcë

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po pret me padurim takimin e njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest, i planifikuar të zhvillohet gjatë dy javëve të ardhshme.

“Arsyeja pse duhet të flasim me Rusinë është se duhet të përfundojë lufta në Ukrainë”, tha sot  Stoltenberg në Panairin e Librit të Frankfurtit.

“Ne duhet të flasim me rusët, por dialogu duhet të bazohet në forcë”, shtoi ai.

“Për të krijuar kushtet për negociata, Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën: politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht. Në të kundërt, nuk mund të arrihet një paqe që lejon Ukrainën të mbetet një vend i lirë, por vetëm një okupim”, shtoi ai.

“Nëse dhe kur Putin kupton se nuk do të fitojnë në fushën e betejës, atëherë ata do të ulen dhe do të negociojnë një marrëveshje ku Ukraina mbetet një vend i lirë dhe i pavarur”, përfundoi Stoltenberg.

Gjatë panairit, Stoltenberg zhvilloi një diskutim me fituesen e Çmimit Nobel për Paqe nga Filipinet, Maria Ressa, e cila paralajmëroi për fushatat e dezinformatave në internet dhe rrjetet sociale.

“Lufta më e madhe sot është integriteti i informacionit”, tha gazetarja hetuese, duke shtuar se kjo lloj beteje zhvillohet “në xhepin tuaj,” duke treguar smartfonin e saj. /ATSH-DPA/

Read Previous

Erdogan: Gaza ka nevojë për shërim dhe rindërtim

Read Next

Guardiola: Do të doja shumë ta kisha Julian Alvarez në skuadrën time tani