Investimet e huaja në Shqipëri u rritën me 2% në tremujorin e parë

Investimet e huaja direkte (IHD) në Shqipëri u rritën me 1.85% nga viti në vit në tremujorin e parë, duke arritur në 308.5 milionë euro (336.7 milionë dollarë), tha të hënën banka qendrore.

Krahasuar me tremujorin e kaluar, fluksi neto i IHD-ve në Shqipëri ra me 20% në periudhën janar-mars.

Vëllimi më i madh i investimeve të huaja në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit 2023, prej 62.15 milionë euro, e ka origjinën në Holandë, e ndjekur nga Italia me 43.21 milionë euro dhe Turqia me 35 milionë euro.

Sektorët që tërhoqën volumin më të madh të investimeve nga jorezidentët në periudhën janar-mars ishin sektorët e minierave dhe guroreve me 68 milionë euro dhe aktivitetet e financave dhe sigurimeve me 58 milionë euro.

Fluksi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri u rrit në 1.37 miliardë euro vitin e kaluar, krahasuar me 1 miliardë euro në 2021.

Ndërsa në periudhën tetor-dhjetor 2022, sektorët që tërhoqën volumin më të madh të investimeve nga jorezidentët ishin miniera dhe gurore me 66.4 milionë euro, pasuria e paluajtshme me 66 milionë euro dhe financat dhe sigurimet me 65.8 milionë euro.

Më herët në një prononcim për Albanian Post, politologu Shpendi Gashi u shpreh se “kryesisht investimet në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, si Italia dhe Greqia. Këto vende kanë treguar një interes në zhvillimin ekonomik të vendit”.

Më tej, ai ka thënë se vitet e fundit, qeveria shqiptare u ka hapur rrugë edhe investimeve të vendeve të lindjes, të cilat janë shoqëruar me rritjen e flukseve të kapitalit në këto vende.

Investimet italiane, ka shpjeguar profesori, janë të përqendruara në rajonin Perëndimor të Shqipërisë, në afërsi të detit Adriatik, ndërsa ato greke më shumë në jug, në sektorë të lehtë të ekonomisë.

Një veçori e investimeve italiane, ka përmbyllur Gashi, është se ato gjenden kudo, si në industri të vogla, edhe tek ato të rënda.

Investimet e huaja

Edhe për sa i përket vitit 2021, Holanda kryesonte listën si investitori më i madh i huaj në vend me 104 milionë euro deri në fund të qershorit.

Pavarësisht faktit se vlera e prurjeve nga ky shtet holandez shënoi një rënie të konsiderueshme këtë periudhë.

Pas saj, investitori i dytë më i madh ishte Italia, me një hyrje totale prej 61 milionë eurosh, e ndjekur nga Turqia dhe Franca, respektivisht me 48 dhe 47 milionë euro hyrje nga investimet e huaja direkte nga këto vende.

Ndërkohë, investimet zvicerane panë një tkurrje të fortë, duke rënë në 28 milionë euro, nga 117 milionë euro të arritura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Albanianpost.com

Read Previous

Anija më e madhe e lundrimit në botë është pothuajse gati

Read Next

Vrasja e një adoleshenti nga një polic shkakton protesta dhe zemëratë në Francë