Inspektorati Policor nis hetimet për rrjedhjen e informacioneve për operacionin në veri të Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet për dyshimet në lidhje me zbulimin e informacioneve për operacionin e ditës së mërkurë që pati Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.

Nga IPK-ja kanë thënë për Telegrafin se ata kanë nisur një hetim preliminar në lidhje më këto dyshime.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës  sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar me dyshimin për zbulim të paautorizuar të informacionit  për operacionin policor të datës 13.10.2021, të zhvilluar nga PK-ja në  Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, gjatë të mërkurës, pas përfundimit të operacionit, në një konferencë për medie, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha që ishin planifikuar të realizoheshin sot gjatë ditës 26 kontrolle ne lokacione të ndryshme, në dy raste të quajtur “Rio” e “Mjekrra”, për të cilat tha se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit.

“Kjo është diçka që është duke u hetuar”, kishte theksuar Mehmeti.

Në raste tjera në lokacione të ndryshme, siç tha ai, policia e Dogana janë penguar në kryerje të detyrës.

Gjuajtje të drejtpërdrejta me armë zjarri, hedhje e bombolave të gazit, granata luftarake janë përdorur të mërkurën nga grupe kriminale të organizuar në veri të Kosovës për të sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, dhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.

Tensione pati pas një operacioni të Policisë së Kosovës e Doganës kundër kontrabandës, që u realizua në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore.

Por, në Mitrovicën veriore situata u tensionua shumë, duke lënë kështu 10 policë të lënduar.

Rreth 20 gazetarë po ashtu ishin viktima të sulmeve të serbëve që vendosën barrikada për të kundërshtuar operacionin e Policisë së Kosovës.

Serbët kanë kundërshtuar operacionin policor, duke sulmuar policët me gurë e kishin djegur vetura, të cilat raportohet të kenë qenë me targa RKS, transmeton Telegrafi.

Pas bllokimit të rrugës në Rudar të Zveçanit, kamionë që në mes të rrugës të ndaluar janë parë sot edhe në rrugën Mitrovicë-Zubin Potok.

Lidhur me gjendjen e krijuar sot në veri, është deklaruar edhe NATO.

Nga NATO në një përgjigje për Telegrafin thonë së janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në Kosovë, dhe se Polica ka kryer operacion në zbatim të ligjit. /Telegrafi/

Read Previous

Si ndihmoi Mark Zuckerberg në ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në SHBA?

Read Next

Moti sot në Kosovë