Inflacioni në Eurozonë arrin nivelin rekord prej 10.7%

Në tetor, inflacioni i Eurozonës u rrit në një nivel rekord prej 10.7 për qind, duke mbajtur presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane për të vazhduar rritjen e normave të interesit.

Kjo, pavarësisht një ngadalësimi të mprehtë të rritjes në tremujorin e tretë.

Në shtator, rritja e çmimeve të konsumit në Eurozonë u përshpejtua nga 9.9 për qind që ishte më e larta në historinë 23-vjeçare të euros.

Ndërsa niveli më i lartë i fundit, i raportuar të hënën nga Eurostat ka kaluar edhe 10.2 përqindëshin e pritur nga ekonomistët.

Ishte muaji i 12-të radhazi që inflacioni ka vendosur një rekord të lartë në Eurozonë, duke e çuar atë në më shumë se pesëfishin e objektivit prej dy për qind të Bankës Qendrore Evropiane.

Ekonomisti Claus Vistesen ka thënë se shifrat e fundit të inflacionit ishin “një makth i Halloween-it për bankën”.

Javën e kaluar, banka qendrore rriti normën e saj nominale të politikës me 0.75 pikë përqindjeje në 1.5 për qind për të trajtuar inflacionin “shumë të lartë”.

Po ashtu deklaroi se ka të ngjarë të ketë më shumë rritje, pavarësisht shenjave që zona e euros është në prag të një recesioni.

Shifrat e PBB-së të publikuara nga Eurostat konfirmuan se rritja e Eurozonës u ngadalësua në tremujorin e tretë, duke u rritur 0.2 për qind nga tremujori i mëparshëm.

Shifra ishte në përputhje me pritshmëritë, por shënoi një ngadalësim nga rritja prej 0.8 për qind në tremujorin e mëparshëm.

Rritja u përshpejtua pak në Gjermani, por Franca, Italia dhe Spanja raportuan ngadalësime të mprehta.

Analisti Ken Wattret ka treguar se “kufizimet e lidhura me energjinë në aktivitetin ekonomik gjatë dimrit do të shkaktonin një recesion të shkurtër, por të mprehtë”.

Këtë, me PBB-në e zonës që tkurret me 1 pikë përqindje në mes të tremujorit të fundit të këtij viti dhe tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Rritja e së hënës ka të ngjarë ta bëjë më të vështirë për bankën të konsiderojë ngadalësimin ose ndalimin e shtrëngimit të politikës monetare në çdo kohë.

Sipas Eurostat-it, çmimet e energjisë u rritën 41.9 për qind në tetor, nga 40.7 për qind muajin e kaluar. Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 13.1 për qind, nga 11.8 për qind në shtator.

11 nga 19 vendet e Eurozonës kishin nivele dyshifrore të inflacionit dhe në tre vendet baltike mbeti mbi 20 për qind.

Megjithatë, inflacioni u ngadalësua në pothuajse gjysmën e vendeve anëtare të bllokut.

Por ekonomistët presin që Eurozona të bjerë në recesion vitin e ardhshëm pasi kostoja në rritje e jetesës i shtyn familjet të shkurtojnë shpenzimet, ndërkohë që kostot e larta të energjisë detyrojnë grupet industriale të pakësojnë ose të mbyllin prodhimin në të gjithë Evropën.

/Financial Times/ /Albanianpost.com

Read Previous

Raportohen tri raste të falsifikimit të 50, 100 dhe 500 eurove

Read Next

Broja: Nuk ka asnjë klub tjetër më të mirë se Chelsea për të mësuar