Hill: Është e nevojshme që SHBA të luajë një rol më të madh në dialogun Kosovë-Serbi

E kanë kërkuar vazhdimisht politikanët në Kosovë, por në intervistën e fundit të tij, edhe ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se “është e nevojshme që SHBA të luajë një rol në dialog”.

Hill që e njeh mirë kontekstin e zhvillimeve pothuajse 30 vjeçare në Ballkan, veçanërisht dinamikat mes Kosovës dhe Serbisë, ka pohuar në një interivstë për gazetën serbe Blic se “koncepti i dialogut është që të sqarohen problemet (mes Kosovës dhe Serbisë) para hyrjes në BE”.

Hill beson se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtin vizion për atë se si duhet të përfundojë dialogu mes dy shteteve, prandaj angazhimi i tyre do të ishte i natyrshëm.

“Synimet tona janë të njëjta, ne jemi në kontakt të përditshëm me BE-në, besoj se marrëdhënia jonë është më e fortë tani se 20 vjet më parë, dhe gjithashtu besoj se është e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të shkëmbejmë mendime se çfarë roli duhet të luajë SHBA”, deklaroi ambasadori amerikan.

Çfarë e ka shqetësuar diplomatin amerikan, duket të jetë mungesa e takimeve në nivelin e lartë kohëve të fundit në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duhej të takoheshin javën që shkoi, por, siç ka thënë Kurti në një konferencë për media, pala serbe e ka refuzuar takimin.

“Nuk është e përshtatshme që dialogu të zvarritet pa ndonjë përparim, mendoj se të gjithë duhet të mblidhemi dhe të kuptojmë se si të bëjmë përparim”, tha Hill.

Pyetur se çfarë roli ShBA do të luante në dialog, ambasadori amerikan tha se idetë e tij tashmë i ka shpalosur.

“Për shembull, ka elementë të dialogut në të cilët nevojitet përparim dhe unë paraqita disa nga idetë e mia, por më e rëndësishmja është që BE-ja dhe SHBA-ja të punojnë së bashku, sepse është në interesin e përbashkët që ta sjellin dialogun në një përfundim”. /Albanianpost.com

Read Previous

Investimi në fushën e energjisë prej 236.7 milionë dollarë, Ministria e Ekonomisë jep detaje për marrëveshjen MCC

Read Next

Asnjë i interesuar në konkurse për punë në Maqedoninë e Veriut