Goditje për Real Madridin, Valverde pëson lëndim të rëndë dhe pritet të mungojë disa javë

Real Madridi ka bërë të ditur detajet e dëmtimit të Federico Valverdes, pas lëndimit që pësoi në derbin ndaj Atletico Madridit, të cilin madrilenët e humbën 2-1.

Klubi spanjoll ka publikuar sot raportin mjekësor për mesfushorin uruguaian, duke konfirmuar se ai ka pësuar ndrydhje të shkallës së tretë në kyçin e këmbës së majtë.

“Pas testeve të kryera sot ndaj lojtarit tonë Fede Valverde nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, ai është diagnostikuar me një ndrydhje të shkallës së tretë në kyçin e këmbës së majtë. Evolucioni i tij do të monitorohet”, thuhet në njoftimin e klubit.

Valverde u detyrua ta ndërpresë ndeshjen gjatë pjesës së dytë, pasi pësoi një ndërhyrje të fortë nga Kang-in Lee. Pas daljes nga fusha, mesfushori iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, të cilat përcaktuan shkallën e dëmtimit.

Raportimet e para sugjerojnë se 27-vjeçari mund të mungojë për rreth dy deri në tri javë, megjithëse koha e rikthimit do të varet nga mënyra se si do të reagojë dëmtimi gjatë rehabilitimit.

Pushimi i gjatë ndërkombëtar mund t’i japë Valverdes kohën e nevojshme për rikuperim, me synimin që të rikthehet sa më shpejt në dispozicion të trajnerit.

Mungesa e tij është një problem për Real Madridin, pasi uruguaiani është një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës dhe kontribuon në të dyja fazat e lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Kërkohet krijimi i një task-force pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Read Next

Trump mohon mungesën e municioneve: Kemi më shumë sesa mund të përdorim