GLPS: Kosova duhet të përafrojë legjislacionin e saj me të Bashkimit Evropian

Kosova në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të përafrojë legjislacionin në fushën e mjedisit.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike po konsideron se nuk ka transparencë të mjaftueshme dhe se duhet të ketë përfshirje më të madhe të publikut në vendimmarrje.

Kështu u tha se në diskutimin me temën “Kosova dhe standardet evropiane në fushën e mjedisit “Sa garantohet e drejta e qytetarëve për pjesëmarrje në çështje mjedisore”, ku u theksua se ka probleme të shumta në implementim të ligjit në këtë fushë.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha tha se legjislacioni është i përafruar me standardet e BE-së.

“Natyrisht që kemi probleme të shumta sa i përket implementimit të ligjit, ndonjëherë ligjet nuk zbatohen në formën të cilën ne dëshirojmë ta zbatojmë ligjin. Kemi probleme të shumta, por natyrisht që këtu problemet duhet të adresohen dhe e mira është që edhe këto raporte të cilat ju i bëni, ndonjëherë na i tërheqin vëmendjen edhe na tregojnë që diçka nuk është duke shkuar në rregull. Është mirë që është cekur çështja e pjesëmarrjes së qytetarëve në çështje mjedisore. Çdo herë që ne i publikojmë ligjet e ndryshme në platformën online apo pranojmë email prej tyre, ato janë shumë të mirëseardhura. E keqja është që përfshirja e qytetarëve në aspektin, për shembull nëse një investim është duke ndodhur në një vend, qytetarët e asaj zone nuk po përfshihen shumë në debate publike”, ka theksuar ajo në tryezën e organizuar nga GLPS.

Më tej, zëvendësministrja shtoi se pas lëshimit të pëlqimit mjedisor, vështirë po bëhen ndryshime pas reagimeve që kanë qytetarët e një zone.

“Shumë shpejt do të bëhet edhe testimi i të gjitha këtyre raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, të cilat nuk i plotësojnë ndonjëherë kushtet. E para, është që në ministri ka pas zyrtarë të cilët merren me trajtimin e VMN dhe ata për shkak të kohës së shkurt që kanë për ta trajtuar dhe lexuar një VMN dhe në ndërkohë për tu marrë pjesën e lëshimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, kanë disa momente të cilat rrëshqasin disa informacione edhe nuk vlerësohet VMN si duhet. Prandaj, ne kemi kërkuar që të krijohet një komision, po kërkojmë ndihmë ndërkombëtare që të formohet një komision që do ta bëjë vlerësimin e ndikimit në mjedis për të gjithë personat që janë të licencuar nga ministria”, ka shtuar ajo.Reklama

Në kuadër të këtij projekti, GLPS i ka mbajtur 10 trajtime me qytetarë e aktivistë, si dhe organizata të shoqërisë civile lidhur me legjislacionin mjedisor në gjashtë komuna të Kosovës.

Hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi tha se Kosova duhet të përafrojë legjislacionin me BE-në dhe të ketë transparencë në çështjet mjedisore.

“Kosova si një shtet anëtar me aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pa dyshim që një ndër kushtet që duhet t’i plotësojë është që të përafrojë legjislacionin e saj me legjislacionin e Bashkimit Evropian, që ka dalë si kriter edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Sa i përket mjedisit, çështjet mjedisore në vendin tonë rregullohen prej akteve më të larta juridike deri në aktet më të ulëta juridike, duke përfshirë këtu edhe Kushtetutën e Kosovës, e cila parasheh të drejtën për një mjedis të pastër, po ashtu parasheh edhe ligjet të cilat i kemi tashmë në fuqi”, ka thënë Salihi.

Drejtoresha e organizatës ECoZ, Egzona Shala-Kadiu tha se arsyet kryesore që qytetarët nuk përfshihen në diskutime publike është mos informimi i duhur i tyre.

“Ndër arsyet kryesore që kemi identifikuar ne që mungojnë është informimi jo-adekuat i qytetarëve, që bëhet në ueb-faqe të komunës ose me një letër të shtypur brenda në komunë dhe normalisht nuk mbërrin informata deri te grupet e adresuara. Mandej është pjesëmarrja dhe përfshirja, dy komponentë kryesore në këtë ligjvënie ose në aprovimet mjedisore për arsyeje se tjetër është pjesëmarrja, e tjetër është përfshirja e tyre. Pjesëmarrja është minimum tre persona të jenë prezent gjatë zhvillimit dhe hartimit të VMN edhe kjo konkludon që përfshirja e tyre ka qenë fiktive”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mungon edhe një mekanizëm adekuat i pjesëmarrjes së publikut.

Në raportin e GLPS kërkohet që të trajtohen me prioritet konkludimet për mjedisin që nxjerrë Komisioni Evropian në kuadër të Raportit të Progresit.

Read Previous

Berat, rrugët e lashta me kalldrëm drejt restaurimit

Read Next

​Britani: Më shumë se një e treta e sektorit të hotelerisë në krizë