Gjykata dënon Facebookun për shkelje të privatësisë

Një gjykatë në New Mexico ka vendosur se Facebook është përgjegjës për mashtrimin e përdoruesve lidhur me masat që kishte marrë për mbrojtjen e privatësisë në platformë.

Vendimi erdhi pas një gjykimi dyjavor në Santa Fe, ku u shqyrtuan akuzat se Facebook kishte mashtruar përdoruesit lidhur me një shkelje të të dhënave që përfshinte një kuiz personaliteti të zhvilluar nga një palë e tretë.

Përmes këtij kuizi, ishin mbledhur të dhëna nga rreth 87 milionë profile të përdoruesve, të cilat më pas iu shitën kompanisë së konsulencës politike Cambridge Analytica për krijimin e reklamave të synuara.

Ndër klientët e Cambridge Analytica-s ishte edhe fushata presidenciale e Donald Trump në vitin 2016.

Gjykata konstatoi se dështimi i Facebook për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve kishte prekur të gjithë popullsinë e New Mexico-s.

Gjithashtu, gjykata gjeti se Facebook kishte keqinformuar publikun lidhur me hetimet ndaj ndërmjetësuesve të të dhënave pas skandalit Cambridge Analytica.

Për këtë çështje, kompania u shpall përgjegjëse për më shumë se 2 milionë shkelje.

Tani gjykata pritet të përcaktojë shumën që kompania duhet të paguajë. Avokatët që përfaqësojnë shtetin kanë kërkuar dënimin maksimal prej 5,000 dollarësh për çdo shkelje. /GazetaSinjali/

Read Previous

Netanyahu mohon se Egjipti e paralajmëroi për sulmin e Hamasit

Read Next

Olise ka zgjedhur destinacionin e ëndrrave për t’u transferuar në të ardhmen