Gjashtë raste të dhunës në familje, dy prej tyre në komunën e Gjakovës

Gjashtë raste dhunës në familje janë shënuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Sipas raportit të përditshëm të Policisë së Kosovës, nga një rast është raportuar në Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Malishevë kurse dy raste në komunën e Gjakovës.

Në Prishtinë një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj i cili sipas policisë ende është në arrati.

“Viktima femër kosovare ka kërkuar ndihmë mjekësor, pasi që ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari  kosovar. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në komunën e Gjilanit sipas raportit djali në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar, pasi që në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij  kosovar. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në komunën e Prizrenit, sipas Policisë së Kosovës, pas dhunës së shkaktuar nga bashkëshorti i saj, gruas i është ofruar tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, femër kosovare. Si pasoj e dhunës fizike viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësorë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Në Komunën e Malishevës, babai e ka sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar, pasi që ai ka sulmuar fizikisht vajzën e tij  kosovare – e mitur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndërkaq në Gjakovë janë shënuar dy raste të dhunës në familje, në njërën nga to ka pasur përleshje fizike në mes të burrit dhe gruas, si pasojë të dy personat kanë pësuar lëndime fizike.

Ata janë liruar me vendim të prokurorit.

“Janë arrestuar burrë e grua  kosovarë-e, pasi që janë përleshur fizikisht në mes vete. Si pasoj e përleshjes që të dy kanë pësuar lëndime trupore për çka dhe u është ofruar tretman mjekësorë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti  vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Në rastin tjetër, bashkëshorti e ka sulmuar fizikisht gruan e tij, sipas raportit të Policisë i dyshuari është liruar.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij  kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

/Dukagjini/

Read Previous

Data 29 qershor 2022, ka qenë dita më e shkurtër e të gjitha kohërave

Read Next

Muzeu britanik Horniman do të kthejë 72 artefakte në Nigeri