Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Kosova ka arritur të shënojë fitore në ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos të zhvilluar në “Fadil Vokrri” me rezultat të thellë 5-0.
Përzgjedhësi Alain Giresse debutoi në këtë takim me Kosovës, që doli të jetë fatsjellës për të, pasi skuadra e tij shënoi pesë herë, ndaj një kombëtareje të respektuar afrikane si ajo e Burkina Fasos.
Ndeshja nisi shumë mirë për Kosovës që arritën të shënonin që në minutën e 3-të. Një goditje nga këndi u shfrytëzua më së miri, ku topi erdhi te Edon Zhegrova, i cili harkoi në zonë për të gjetur Fidan Alitin, i cili goditi bukur me të parën për të dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Pas golit ndeshja ra paksa, me mysafirët që tentonin të bënin më shumë, por që nuk arritën të shënonin.
Kosova u kthye sërish në aksion në minutën e 23-të, kur erdhi edhe goli i dytë në ndeshje.
Pas një aksioni të gjatë, Milot Rashica asistoi te Astrit Selmani, i cili gjuan shumë bukur nga brenda zonës për 2-0.
Burkina Faso pasi pranoi golin e dytë, kishte tre raste të njëpasnjëshme, por që në të tria rastet në vend ishte Samir Ujkani, duke mos lejuar gol.
Minutat e fundit të pjesës së parë ishin më të qeta, ku Kosova menaxhonte rezultatin që kishte, duke bërë më shumë pasime në mbrojtje.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova arriti të gjejë edhe golin e tretë, pikërisht në minutën e 53-të.
Një kundërsulm model u nis nga Edon Zhegrova, që gjeti Milot Rashicën i cili asistoi te Mërgim Vojvoda që në portën e zbrazët shënoi për 3-0.
Në anën tjetër Burkina Faso kishte një penallti në minutën e 65-të të ndeshjes, por që Samir Ujkani e priti atë.
Pas tre minutash Milot Rashica shënon për 4-0 pas një asistimi të Ibrahim Dresevic.
Goli i pestë në ndeshje erdhi në minutën e 75-të, kur Toni Domgjoni nga një pozitë e vështirë pothuajse në vijën e fundit, gjuan dhe shënon për 5-0.
Krejt në fund Florent Muslija goditi shtyllën nga një goditje dënimi.
Fitore e mirëseardhur e Kosovës, që fillon në cikël të ri me Alain Giresse.
/Telegrafi/