Gara për titull, Inter në avantazh ndaj Milan e Napoli

Edhe pse momentalisht në vendin e dytë dhe me 2 pikë më pak se Milani kryesues, Interi është favorit për të fituar titullin në Serinë A.

Pas ndalesave të kuqezinjve dhe të Napolit, topi ka kaluar në fushën e skuadrës së Inzaghit. Zikaltërit kanë shanset më të mëdha të shpallen kampionë të Italisë dhe për më tepër e kanë fatin e tyre në dorë.

Kur kanë mbetur gjashtë javë nga mbyllja e sezonit, Interi ka 7 ndeshje për të luajtur, pasi do të rikuperojë edhe takimin me Bologna. Nëse i fitojnë të shtatë sfidat, për një total prej 21 pikësh, atëherë ata do të konfirmoheshin si skuadra më e mirë e Serisë A. Në dy javët e fundit, zikaltërit kanë rikuperuar 4 pikë ndaj Milanit dhe 3 ndaj Napolit.

Në javët e fundit të kampionatit, Interi duket se favorizohet edhe nga kalendari. Teksa Milani e Napoli luajnë në shtëpi me Genoa e Roma, Perisic me shokë luajnë trasfertën me Spezian e Rey Manajt. Sfida më e madhe e Interit është ajo e javës së 34-t, në San Siro, me Romën.

Nëse kalon ekipin e Mourinhos dhe më pas fiton ndeshjen e prapambetur me Bologna, me gjasë ata do të jenë kampionët. Kundërshtarët e katër javëve të fundit, Udinese, Empoli, Cagliari e Sampdoria nuk janë të frikshëm dhe Interi duket me një dorë te titulli./A2news/

Read Previous

Thellohet kriza, Sri Lanka nuk ka më ilaçe

Read Next

14 raste të reja me COVID-19