Forumi Octopus: Kosova përballet me ndërhyrje dhe dezinformim para zgjedhjeve

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” po mban sot në Prishtinë forumin me temën “Demokracia nën kërcënim: Zgjedhjet si një fushëbetejë gjeopolitike”, ku përfaqësues institucionalë, ambasadorë dhe njohës të fushave të ndryshme po diskutojnë mbi sfidat që po e shoqërojnë procesin zgjedhor të 12 tetorit në Kosovë.

Në këtë forum u theksua se zgjedhjet e ardhshme nuk janë vetëm një proces politik, por një provë e rëndësishme për stabilitetin demokratik, sigurinë kombëtare dhe orientimin euroatlantik të vendit.

Drejtori në Instituin Octopus, Arben Fetoshi tha se në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon të ketë një teren të operacioneve kërcënuese, sipas tij jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse por edhe me ndërhyrje politike dhe financiare.

Fetoshi tha se Serbia e lidhur me ndikimin rus, përdor dezinformimin, rrjetet fetare, manipulimet kibernetike dhe ndërhyrjet financiare për të rritur ndarjet dhe mosbesimin, veçanërisht te komuniteti serb në Kosovë.

Fetoshi theksoi se 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi, por një betejë për stabilitetin demokratik, sigurinë kombëtare dhe vlerat euroatlantike të Kosovës.

“Në fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, Kosova vazhdon që të ketë një teren i operacioneve kërcënuese jo vetëm me propagandë dhe narrativa nxitëse por edhe me ndërhyrje politike dhe financiare. Rasti i Moldavisë e sidomos shembujt e tjerë si Romania e Gjeorgjia na tregojnë se zgjedhjet sot janë arenë e përplasjes gjeopolitke, janë të heshtura ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë, të vërtetës dhe propagandës. Në këtë betejë është edhe Kosova për shkak të Serbisë militariste që vepron për rrënimin dhe destabilizimin e saj. Si qendër rajonale e ndikimit rus ajo përdor instrumente të njëjta si dezinformimin, rrjetin fetar, manipulimin kibernetik dhe ndërhyrjet politike dhe financiare për të rritur polarizimin, përçarjen dhe mos besimin e qytetarëve serb në procesin zgjedhor. Në këtë kontekst sot Kosova përballet me sproven e qëndrueshmërisë demokratike dhe me integritetin e zgjedhjeve si çështje të sigurisë kombëtare. 12 tetori nuk është vetëm ditë votimi është betejë për rendin dhe vlerat euroatlantike për sigurinë dhe sovranitetin politik”, tha Fetoshi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se Kosova ka një demokraci ende të brishtë, e cila kërkon mbrojtje të vazhdueshme. Sipas tij, zgjedhjet janë mekanizmi kryesor që përcakton drejtimin dhe garanton të ardhmen demokratike të vendit.

Malaj nënvizoi se sfida më e madhe aktuale është ajo në veri, ku tensionet tregojnë se demokracia është e kërcënuar.

Për këtë arsye, Malaj tha se vetëm zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të besueshme do të përcaktojnë rrugën e Kosovës drejt forcimit të shtetit demokratik.

“Kosova në historinë e saj ka ditur të thotë fjalën e saj sa i përket zgjedhjeve. Zgjedhjet kanë pasur një maturi një përkushtim qoftë nga ana e qeverive te ndryshme që kanë drejtuar por edhe nga ana tjetër edhe tek partitë… Kemi një demokraci të brishtë dhe ne duhet të jemi në mbrotje të saj. Zgjedhjet janë në fakt ato që e përcaktojnë drejtimin dhe garantojnë të ardhmen demokratike të Kosovës. Ajo që ndodhi në Moldavi tregon për një kahje pozitive dhe një moment shumë të mirë për Evropën, ku pati një mbështetje shumë interesante…Ajo cka e mundon Kosovën për momentin është sfida në veriun e saj. Tregon që demokracia është në kërcënimin e saj dhe se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë ato që do të përcaktojnë rrugën. Ne kemi parë, kemi dëgjuar këto ditë momente të vecanta të cilat mund të sjellin acarime dhe situata që askush nuk do t’i donte. Kosova është në një proces i cili kërkon mbrojtje dhe përkushtim të gjithckaje që ka arritur. Rajoni ka nevojë per stabilitet”, tha Malaj.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Payam Ghalehdar tha se edhe në Kosovë zgjedhjet janë një fushëbetejë gjeopolitike. Derisa shtoi se Kosova është në një situatë delikate.

Ghalehdar potencoi se është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Së pari, unë ndaj vlerësimin se zgjedhjet, madje edhe në vende të ashtuquajtura të vogla si Kosova, janë sot një fushëbetejë gjeopolitike. Pra, Kosova është në një situatë delikate. Ne kemi zgjedhjet lokale që po afrohen në tetor, më 12 tetor, dhe t’i quash ato zgjedhje lokale në fakt është një term i gabuar, pikërisht sepse shohim sa të rëndësishme janë këto zgjedhje, jo vetëm në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të aktorëve të tjerë. Prandaj është shumë e rëndësishme të ruhet dhe të mbahet integriteti i zgjedhjeve, të sigurohet që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe unë ndaj vërejtjet e ambasadorit shqiptar se kohët e fundit zgjedhjet këtu në Kosovë në fakt i janë përmbajtur këtij premtimi. E pamë këtë në shkurt, në nivel kombëtar. Dhe megjithatë është shumë e rëndësishme që të sigurohet që edhe në zgjedhjet që po afrojnë, kjo do të vazhdojë”, tha Ghalehdar.

Ndër të tjera, Ghalehdar tha se kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por mund të vijnë edhe nga brenda.

Siç tha ai është vërejtur përpjekje për të përjashtuar disa parti nga zgjedhjet e ardhshme, për cka sipas tij ëshyë për te ardhur keq.

Sipas Ghalehdar është e rëndësishme që të lejohen të gjitha partitë të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe që qytetarët e Kosovës të votojnë për partitë për të cilat duan të votojnë.

“Gjithashtu, do të doja të theksoja se kur flasim për zgjedhje dhe demokraci dhe sundimin e ligjit, është po aq e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh brenda vendit. Pra, kërcënimet ndaj integritetit të zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit nuk vijnë vetëm nga jashtë, por mund të vijnë edhe nga brenda. Dhe ne kemi vërejtur përpjekje për të, për shembull, përjashtuar disa parti nga zgjedhjet e ardhshme. Dhe sipas mendimit tonë, kjo është për të ardhur keq. është e rëndësishme që të lejohen të gjithë aktorët të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe që qytetarët e Kosovës të votojnë për partitë për të cilat duan të votojnë”, tha Ghaledar.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu tha se Lista Serbe, para, gjatë dhe pas fushatave zgjedhore, ka ushtruar frikë, shantazh, intimidim dhe kërcënim ndaj votuesve, duke ndikuar pothuajse në çdo proces zgjedhor.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu theksoi se në disa komuna me shumicë serbe ka pasur probleme serioze me shantazhe, kërcënime dhe keqpërdorim të votës, çka sipas Baraliut ka cenuar procesin zgjedhor, vullnetin e qytetarëve dhe madje edhe sigurinë e funksionimin demokratik të shtetit.

“Ky subjekt politik, para, gjatë dhe pas fushatave të cikleve zgjedhore ndaj qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit, kanë ushtruar frikë, shantazh, intidimidim dhe kërcënim mbi votuesit standard. Në këtë mënyrë pothuajse gjatë çdo procesi zgjedhor dhe kjo nuk është thënë dhe nuk është bërë publike, nuk është artikuluar dhe adresuar sa duhet fatkeqësisht në një mënyrë apo tjetrën është lënë nën tepihun pa u bërë në mënyrë transparente publike…Në disa komuna sidomos në ato me shumicë serbe ne kemi pasur probleme, shantazhe, kërcënime dhe keqpërdorim të votës dhe të qytetarit…Kanë keqpërdorur besimin e qytetarëve, kanë manipuluar me votat dhe kanë cenuar proceset zgjedhore duke rrezikuar seriozisht funksionimin e demokracisë, vullnetin e votuesve mbi të gjitha duke cenuar edhe sigurinë dhe arkitekturën e re shtetërore”, tha Baraliu.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Dorajet Imeri tha se kriza e demokracisë nuk ka ardhur nga jashtë, por nga transformimet e saj të brendshme, duke kaluar nga demokraci liberale në një demokraci të elitave.

Sipas tij, në Kosovë demokracia shpesh është parë thjesht si procedurë – votim, numërim, për çka është një konceptim i gabuar, sipas tij.

Ai theksoi se zgjedhjet janë forma më origjinale e komplimentimit të sovranitetit popullor.

“Demokracia ose kriza e saj nuk ka filluar nga jashtë. Ajo ka ardhur në këtë stad për shkak të një transformimi apo një metamorfoze që ka pësuar ajo vetë. Nga një demokraci që është supozuar liberale, pas përfundimit të luftës së ftohtë deri të një demokraci që është e elitave…e keqja është se demokracia sidomos në vendin tonë është parë kryesisht si një procedurë që të mos ketë ekcese, që të votohet normalisht, të numërohen dhe kaq. Me gjasë kemi gabuar, duke e konceptuar kësisoj demokracinë. Është fort e rendësishme rezultati që ka prodhuar. Sepse në parimin e sovranitetit nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa procesi i votimit. Një popull është sovran nëse ai popull arrinë që të dëgjohet brenda hapësirës të cilin ata e kanë konsideruar sovranitetin e tyre…zgjedhjet janë forma më origjinale e komplimentimit të sovranitetit popullor. Nëse goditen zgjedhjet është goditur sovraniteti”, tha Imeri. /KosovaPress/

Read Previous

Dokumenti i shtatorit 1999: Hashim Thaçi shkoi në Prekaz për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari

Read Next

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është shi vere, nuk ndalet drejt “Rilindjes Urbane 2.0”