Forumi i Paqes, edhe presidentja Osmani udhëton zyrtarisht për në Paris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Francë ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.

Përgjatë këtij forumi, ku Presidentja Osmani është ftuar së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu, ajo do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti Macron dhe zonja e Parë e Francës për liderët botërorë, e poashtu do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno.

Krahas aktiviteteve të forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit. 

/Telegrafi/

Read Previous

​Liberalizimi i vizave për Kosovën sot në rend dite të Grupit punues të BE-së

Read Next

Zgjedhjet për Këshillin Nacional Shqiptar në Luginë mbahen më 13 nëntor