Festival golash në Miami, Anglia e zë vendin e tretë pasi e mposhti Francën

Anglia e ka mbyllur Kupën e Botës në vendin e tretë, pasi mposhti Francën me rezultat 6-4 në një ndeshje spektakolare, të cilën rrezikoi ta humbiste pavarësisht se në pjesën e parë kishte epërsi 4-0.

Franca reagoi fuqishëm dhe e ngushtoi rezultatin në 4-3, më pas e bëri 5-4 pasi Bukayo Saka kompletoi “hat-trickun” nga pika e bardhë, ndërsa Jude Bellingham vulosi fitoren e anglezëve me një gol fantastik në fund të takimit.

Me presionin e larguar pas eliminimit në gjysmëfinale, të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të hapur dhe shumë argëtuese, ku sulmi dominoi plotësisht ndaj mbrojtjes.

Anglia, që bëri shtatë ndryshime në formacion, duke lënë Jude Bellinghamin në stol dhe Harry Kanen jashtë skuadrës titullare, ishte pranë një tjetër kolapsi pasi në gjysmëfinale kishte humbur epërsinë ndaj Argjentinës.

Tre Luanët” zhvilluan një pjesë të parë të jashtëzakonshme në aspektin ofensiv dhe mund të kishin shënuar edhe më shumë se katër gola, ndonëse edhe Franca krijoi raste në një duel të hapur që nga minuta e parë.

Declan Rice kaloi Anglinë në epërsi me një goditje nga jashtë zonës, pasi përfitoi nga një gabim i Désiré Doué.

Më pas, nga një goditje nga këndi e Rice, Ezri Konsa shënoi me kokë për 2-0.

Bukayo Saka realizoi dy gola të tjerë brenda dhjetë minutash, fillimisht pas asistimit të Marcus Rashfordit dhe më pas pas pasimit të Eberechi Ezes, duke e dërguar rezultatin në 4-0.

Ndihmëstrajneri i Anglisë, Anthony Barry, nuk i fshehu emocionet gjatë intervistës në pushimin mes pjesëve.

“Shoh 11 djem në fushë me zemra të thyera. I kam parë në hotel dy ditët e fundit me zemra të thyera, por ata ndërtuan një paraqitje të tillë vetëm nga krenaria për të luajtur për Anglinë”, tha ai.

Megjithatë, Barry paralajmëroi se ndeshja nuk kishte përfunduar.

“Ndeshja nuk ka mbaruar ende. Gjithçka mund të ndodhë.”

Dhe ai kishte të drejtë.

Franca nuk kishte ndërmend ta mbyllte turneun dhe epokën e Didier Deschampsit në heshtje, duke shënuar tre gola përpara pushimit për hidratim në pjesën e dytë.

Kylian Mbappe realizoi golin e parë dhe të tretë të Francës, duke u bërë futbollisti i parë që nga Gerd Müller në vitin 1970 që arrin në kuotën e 10 golave në një Kupë Bote.

Ai gjithashtu kaloi Lionel Messin me dy gola në garën për “Këpucën e Artë”, përpara finales së së dielës.

Mbappe u bë ashtu top-golashënuesi në histori të Botëroreve me 22 gola, duke e kaluar Lionel Messin që ka 21, por që luan sonte në finale ndaj Spanjës. 

Të dy golat e Mbappes erdhën pas asistimeve të Michael Olise, i cili humbi edhe tri raste shumë të mira gjatë ndeshjes.

Bradley Barcola shënoi golin e dytë të Francës, duke mposhtur Dean Hendersonin.

Olise do t’i vinte keq për rastet e humbura, pasi rreth pesë minuta para fundit të kohës së rregullt Anglia fitoi një penallti.

Djed Spence u rrëzua brenda zonës, ndërsa Bukayo Saka tregoi qetësi maksimale dhe realizoi nga pika e bardhë për të kompletuar “hat-trickun”.

Në minutat shtesë, Ousmane Dembélé shënoi golin e katërt për Francën, por ai nuk ndikoi në fatin e ndeshjes.

Menjëherë më pas, Jude Bellingham depërtoi në mënyrë spektakolare përmes mbrojtjes franceze dhe realizoi golin e dhjetë dhe të fundit të një përballjeje të jashtëzakonshme, duke vulosur fitoren 6-4 të Anglisë dhe vendin e tretë në Kupën e Botës./GazetaExpress/

Read Previous

Kosova humb 43 milionë euro nga BE-ja, IKD: Vetëm 0.2% e diskutimeve në Kuvend ishin për integrimet europiane