Euro ndal rënien, këtë javë në 116.6 lekë

Euro ka gjetur një balanca të brishtë këtë javë në tregun e këmbimit valutor, ku që prej së hënës qëndron në kuotën e 116.6 lekëve. Rënia vetëm prej fillimit të muajit kur shënonte nivelin e 119.1 lekëve, mbetet drastike.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro blihet sot mesatarisht për 116.9 lekë dhe shitet për 116.3 lekë. Faktori kryesor që po ndikon në zhvlerësimin e euros në treg, është ecuria e valutës europiane në tregjet ndërkombëtare, ku mban ende një kurs prej 1.01 dollarësh amerikan për çdo një euro.

Dollari nga ana tjetër, u ul në 114.38 lekë ditën e sotme, duke iu rikthyer një niveli më normal. Teksa në mesin e muajit ishte ngjitur deri në 117.5 lekë, kur vlera e tij u barazua me euron.

Me ndikimin që po merr nga lufta në Ukrainë dhe pasiguritë globale, valuta amerikane po merr një peshë më të madhe edhe në ekonominë tonë, duke qenë referencë për çmimin e karburanteve, por edhe për një pjesë në rritje të tregtisë së jashtme, ku partnerët jashtë eurozonës po preferojnë tashmë dollarin si më të qëndrueshëm dhe të sigurt./A2news/

Read Previous

Sezoni i ri në basketbollin kosovar vjen me risi, FBK ndryshon rregulloren për lojtarët e huaj

Read Next

Kanabis dhe armë pa leje, dy të arrestuar