Egjipti hap kufirin për ndihmat, Izraeli vijon bombardimet mbi Hamasin

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka pranuar të rihapë pikën e kalimit kufitar të Rafahut me Gazën vetëm për kalimin e ndihmave humanitare.

Vendimi i Egjiptit vjen pas vizitës së presidentit Biden në rajon, i cili paralajmëroi më herët se 20 kamionë me ndihma do të shkojnë në Gaza, në ndihmë të qytetarëve jo më vonë se e premtja.

Pavarësisht hapjes së pikës kufitare, ende nuk është e qartë nëse do të lejohet dhe kalimi i civilëve, një numër i madh i të cilëve është bllokuar aty që pas paralajmërimeve të Izraelit se duhet të largohen sa më shpejt nga veriu i Gazës.

Pika e kalimit kufitare të Rafah është caku më jugor për të dalë nga Gaza dhe për të hyrë në territorin egjiptian të gadishullit të Sinait. Zakonisht nuk është e lehtë për palestinezët që të largohen nga Gaza përmes kësaj pike kufitare.

Personat që dëshirojnë këtë gjë duhet të aplikojnë tek autoritetet palestineze 4 javë më parë, dhe mund të pengohen të kalojnë nga të dyja palët pa asnjë motiv, edhe nëse marrin leje. Aktualisht, Rafahu është e vetmja pikë për kalimin e ndihmave humanitare, pasi Izraeli ka rrethuar të gjithë pjesën tjetër të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, ushtria izraelite bën me dije se ka vijuar bombardimet e saj gjatë natës ndaj pozicioneve të Hamasit. Sipas të dhënave më të fundit, më shumë se 100 objektiva u goditën vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa 10 militantë u vranë./A2news/

Read Previous

Sërish seancë e jashtëzakonshme për mbështetjen financiare urgjente të Policisë së Kosovës

Read Next

Kurti: Mbi gjakun e mijëra njerëzve Serbia e përjetësoi në bronz Drazhën