Dua Lipa merr nënshtetësinë shqiptare

Presidenti Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën.

Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.

“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Begaj.

Postimi i plotë i Begajt:

Dua Lipa është krenari shqiptare!

Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën!

Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment!

Një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip.

Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar!

Read Previous

​Profesori italian: Problemi Kosovë-Serbi të zgjidhet në bazë të situatës, jo me modele të gatshme

Read Next

Rama: Pa Rugovën, Thaçin, LDK-në e UÇK-në nuk mund kuptohet ardhja në këtë ditë