Drejtori i CIA-s tregon propozimin e ri për armëpushimin në Gazë

Drejtori i CIA-s, William J. Burns ka paraqitur një propozim të ri në përpjekje për të kapërcyer boshllëqet në negociatat në vazhdim për të arritur një marrëveshje që do të sillte një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga grupi.

Propozimi i fundit i SHBA-së u bë në Kajro gjatë fundjavës dhe përfshin nxitjen e Izraelit për të liruar një numër më të madh të të burgosurve palestinezë në këmbim të 40 pengjeve izraelitë të pritshëm që do të liroheshin gjatë fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi me tre faza.

Zyrtarët e Katarit, Egjiptit dhe Izraelit – së bashku me Burns – ishin në Kajro gjatë fundjavës për negociatat.

Përfaqësuesit e Hamasit u takuan gjithashtu me zyrtarë të Shërbimit Informativ të Egjiptit në Kajro. Teksa Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që banorët palestinezë të Gazës veriore të cilët kanë ikur në jug të lejohen të kthehen në shtëpi në veri pa kufizime.

Deri më tani, Izraeli ka refuzuar kërkesat e Hamasit për një kthim të pakufizuar të banorëve të Gazës në veri dhe rishpërndarjen e trupave nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit larg Gazës qendrore. Izraeli ka këmbëngulur për inspektime të palestinezëve që lëvizin në veri, transmeton CNN.

Duke pasur parasysh vështirësitë e komunikimit me udhëheqësit e Hamasit, të cilët besohet se fshihen në sistemin e gjerë të tuneleve nëntokësore të Gazës, marrja e një përgjigjeje mund të zgjasë disa ditë.

Një zyrtar i lartë i Hamasit duke folur për CNN tha se grupi do të kthehet në Kajro “sapo të paraqitet mundësia”, por nuk mund të vendoste një afat kohor të caktuar se kur do të ndodhte kjo. /RTSH/

Read Previous

Cameron takohet me Trump në mes të përpjekjeve për të mbështetur ndihmën për Ukrainën

Read Next

Haxhiu: Është hapur subvencioni për gratë që janë pjesë e familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës