Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, Begaj dhe Rama me mesazhe të forta për Amerikën

Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke vënë në pah rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vlerat e përbashkëta që i lidhin.

Kreu i Shtetit thekson se Shqipëria e vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me SHBA-të, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit.

Ai shpreh gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë, që nga njohja e saj si shtet e deri te reformat kyçe të realizuara përgjatë 35 viteve të fundit, duke e cilësuar këtë partneritet si një nga shtyllat më të rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkohë, Rama shkruan: Mirëmëngjes, dhe me 4 Korrikun e Amerikës, nën hijen madhështore të Statujës së Lirisë, që është edhe një festë e veçantë për shqiptarët, pavarësisht erërave kundër që historikisht kanë dashur ta zbehin energjinë e bukur të këtij vendi, ju uroj një fundjavë të mbarë!

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, në ditën e 34-ërt të protestës, qytetarët paralajmëruan se pikërisht në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve do të jetë në shesh edhe diaspora. Ditë, që përkon edhe me ditëlindjen e Ramës!

Gjatë tubimit, protestuesit hodhën akuza edhe ndaj policisë për përdorim të dhunës gjatë përplasjes me qytetarët, duke kërkuar hetim dhe përgjegjësi për veprimet e efektivëve. Organizatorët paralajmëruan vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vazhdim. /tvklan.al

Read Previous

Princi William: Mbreti Charles III e urren futbollin

Read Next

FIFA tërheq vendimin që zemëroi meksikanët dhe anglezët