Departamenti i gruas në BIK-Gjakovë shënon një dekadë veprimtari

Departamenti i Gruas në Bashkësinë Islame në Gjakovë ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit.

Një dekadë angazhimi në fushën e edukimit, kulturës dhe kultivimit të vlerave shpirtërore, u shënua me një aktivitet solemn, ku morën pjesë përfaqësuese të Departamenteve të Gruas nga qytete të ndryshme të Kosovës, teologe dhe personalitete të jetës publike.

Aktiviteti nisi me këndimin e Kuranit nga Bademe Koshi, ndërsa në fjalimet e rastit u vlerësua roli i gruas në familje dhe shoqëri. U theksua se gruaja është shtylla e familjes dhe se ky jubile përbën një mundësi për të kujtuar e nderuar të gjitha ato që kontribuan në këtë rrugëtim.

Kryesuesja e Departamentit të Gruas në Gjakovë, Violeta Smajlaj Myrta, rikujtoi se gjithçka nisi në vitin 2016 dhe se angazhimi ka vazhduar për një dekadë pa ndërprerje.

Përmes ligjëratave të përjavshme dhe aktiviteteve të ndryshme janë trajtuar tema që lidhen me jetën shpirtërore, familjen dhe çështjet e përditshme shoqërore.

Ndërkaq, Vaxhide Bunjaku, nga BIK-u tha se ky përvjetor nuk është vetëm shënim i një jubileu, por një moment për të vlerësuar punën e të gjitha grave që besuan dhe kontribuuan në këtë nismë. Ajo e cilësoi dhjetëvjetorin si histori të përbashkët dhe dëshmi të përkushtimit të grave të Gjakovës.

Për të pasqyruar punën dhe aktivitetet ndër vite, të pranishmëve iu prezantua edhe një dokumentar i shkurtër, që përmblodhi momentet kryesore të këtij rrugëtimi dhjetëvjeçar.

Programi u pasurua me pika artistike dhe fjalime të tjera përshëndetëse. Në përmbyllje të aktivitetit, organizatorët ndanë mirënjohje për persona që me kontributin dhe mbështetjen e tyre ndihmuan në zhvillimin dhe vazhdimësinë e punës së Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Gjakovës.

Përgatiti: Eldita Mullahasani

Read Previous

Protesta në Tiranë, blindohet kryeministria, mbi 2 mijë policë në terren, dronë dhe agjentë civilë

Read Next

Parashikimi i motit për sot