Deklaratat e Kos për Specialen, Çitaku: Është normale të mos pajtohemi gjithmonë me miqtë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kritikave të komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Çitaku tha se është normale që Kosova të ketë mospajtime të herëpashershme edhe me partnerët e saj ndërkombëtarë.

“Është normale ndonjëherë me miqtë të mos kemi pajtime”, deklaroi Çitaku.

Ajo theksoi se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës t’ia sqarojnë Bashkimit Evropian qëllimin e ndryshimeve ligjore.

“Është e rëndësishme ta sqarojmë me BE-në se çka ai ligj kërkon”, shtoi ajo.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke komentuar qëndrimin e komisioneres evropiane, tha se partia e saj i kishte shprehur me kohë rezervat për këtë ligj.

Reagimet e tyre vijnë pasi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi të hënën se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Në deklaratën e dhënë para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, të cilën e transmetoi Radio Evropa e Lirë, Kos i cilësoi ndryshimet ligjore si të papranueshme.

Ajo theksoi se ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

Kos paralajmëroi se vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e standardeve evropiane rrezikojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /KosovaPress/

Read Previous

​Kurti: Anëtarësimi në KiE dhe Interpol, i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës

Read Next

Tahiri kërkon funksionalizimin e Kuvendit për strategjinë e mbrojtjes së çlirimtarëve në Hagë