Ç’mund të presim nga varianti i ri Covid-19, flasin ekspertët

Rreth 3 ditë më parë, OBSH-ja e cilësoi zyrtarisht si shqetësues variantin e ri të Covid-19, të zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut dhe identifikuar si “Omicron”. Përhapja e tij me shpejtësi në disa vende të Europës ka ngjallur panik në botë, por sa të rrezikuar jemi dhe ç’dihet deri tani për të ?

Gjatë një lidhje direkte për “Abc Live”, drejtori i zhvillimit të vaksinave “Geovax”, Arben Domi u shpreh se për momentin jemi ende në fazën e hipotezave dhe masat që po merren janë parandaluese. Përsa i përket numërit të lartë të mutacioneve, Domi tha se sipas tij ky mund të jetë një lajm i mirë ose i keq. 

“Për momentin jemi në fazën e hipotezave, bazuar në numrin e mutacioneve ka rreth 30 mutacione në zonën e spike-ut e cila është përgjegjëse për ta njohur nga antikorpet e prodhuar nga vaksinat. Për momentin nuk ka të dhëna të sakta, dhe të gjitha masat që janë marrë mund të duken të ekzagjëruara, por për mendimin tim janë thjesht parandaluese për një mundësi në të ardhmen, sepse do të duhen edhe dy- tre javë për të mësuar shkallën e rëndësisë të këtij varianti. Për mendimin tim ky variant mund të jetë shqetësues, por deri më tani duhet të jemi të kujdesshëm dhe jo në alarm.

Ka një numër jo normal të mutacioneve. Numri i madh i mutacioneve mund të prekë ciklin e zhvillimit të virusit që mund ta ngadalësojë ose dobësojë. Por mos të spekulojmë, të presim të dhënat.”- përfundoi ai.

Përsa i përket vendit të origjinës, Afrikë e Jugut, drejtori i zhvillimit të vaksinave u shpreh se ky është fakt mund të konsiderohet si lajm i mirë, ndryshe nga ç’do të ishte nëse do të zbulohej në një vend ku shkalla e vaksinimit është e lartë. 

“Mund të jetë rastësore. Por nëse do të ndodhte në një vend ku numri i vaksinimeve është i lartë mund të merrej si një lloj përgjigje të virusit ndaj vaksinave. Por në Afrikën e Jugut një element i tillë nuk ekziston… Nuk mendoj se është një reagim i virusit për t’i shpëtuar vaksinimit.”

Sipas tij, edhe ky dimër do të shoqërohet me rritje numrash të të infektuarëve si dhe shtrimet në spitale, kryesisht gjatë muajve dhjetor-janar.

“Dhjetori dhe janari do të ketë një rritje të konsiderueshme të të infektuarve, dhe të të shtruarve në spitale mbi 60 vjeç, pavarësisht nëse janë të vaksinuar apo jo.”/Anabelmagazine/

Read Previous

Rama, lideri i parë në Evropë për numrin e ndjekësve në Facebook, në top 10 edhe Kurti

Read Next

Medikamenti ‘Surfaktant’ në vlerë prej 84,260 $ u dhurua sot në QKUK