Çipat e Nvidia-s gjenden në dronët dhe raketat ruse, Ukraina zbulon lidhjet me tregun e zi aziatik

Çipat e kompanisë amerikane Nvidia janë zbuluar në disa prej dronëve dhe raketave që Rusia po përdor në luftën kundër Ukrainës.

Sipas dokumenteve të inteligjencës ushtarake ukrainase, komponentë të prodhuar nga kompania e drejtuar nga Jensen Huang janë gjetur në disa sisteme ushtarake ruse, përfshirë dronët Shahed-136, Lancet-3, Klyn dhe Zala T-20, si dhe raketat kruz S-71M.

Zbulimi ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si teknologjia perëndimore përfundon në duart e industrisë ushtarake ruse, pavarësisht kufizimeve dhe sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas një investigimi të bazuar në dokumentet e arkivit të inteligjencës ushtarake ukrainase (GUR), në armët ruse të kapura ose të rrëzuara në Ukrainë janë identifikuar disa pajisje dhe procesorë të prodhuar nga Nvidia. Këto përfshijnë module NVIDIA Jetson Orin, të cilat përdoren për përpunimin e të dhënave dhe funksionimin e sistemeve të avancuara elektronike.

Konkretisht, dronët Shahed-136, të njohur në ushtrinë ruse si Geran-2, janë gjetur të pajisur me module NVIDIA Jetson Orin Nano. Ndërsa dronët Lancet-3 përdorin një kartë kontrolli të prodhuar nga Nvidia. Pajisje të ngjashme janë identifikuar edhe në dronët Klyn dhe Zala T-20, si dhe në raketat kruz S-71M.

Dokumentet ukrainase tregojnë gjithashtu se disa prej këtyre komponentëve kanë hyrë në Rusi përmes kompanive ndërmjetëse. Një prej tyre është Chimevrasia LLC, me seli në Tatarstan, e cila dyshohet se ka importuar pajisje Nvidia të përdorura më pas në sistemet ushtarake ruse.

Tatarstani është një nga qendrat kryesore të prodhimit të dronëve në Rusi. Në këtë rajon ndodhet edhe kompleksi industrial Alabuga, ku prodhohen dronë të përdorur nga ushtria ruse. Sipas të dhënave të cituara nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), në mars të vitit 2026 prodhimi në këtë kompleks arrinte rreth 5 mijë e 500 dronë në muaj.

Ndërkohë, inteligjenca ushtarake ukrainase vlerëson se në gusht të vitit 2026 në Rusi prodhoheshin çdo muaj rreth 3 mijë dronë me motor reaktiv të modeleve Geran-4 dhe Geran-5, si dhe rreth 2 mijë e 800 dronë Geran-2.

Sipas investigimit, çipat e Nvidia-s mund të kenë përfunduar në këto pajisje përmes rrjeteve të tregtisë së ndërmjetme dhe tregjeve dytësore në Azi, veçanërisht në Azinë Juglindore. Kjo zonë konsiderohet një prej rrugëve të rëndësishme për anashkalimin e kufizimeve tregtare dhe eksportimin e teknologjisë drejt vendeve ku shitjet janë të ndaluara.

Kompania Nvidia ka deklaruar se nuk shet produkte në Rusi, por ka pranuar se nuk mund të kontrollojë plotësisht tregjet e rishitjes dhe destinacionin përfundimtar të çdo pajisjeje.

Çështja mori vëmendje edhe më 21 tetor, kur një grup protestuesish ndërpreu fjalimin e Jensen Huang në një konferencë për inteligjencën artificiale në Berlin. Ata e pyetën drejtuesin e Nvidia-s se si shpjegohet prania e teknologjisë së kompanisë së tij në armët ruse që përdoren në Ukrainë.

Deri tani, identifikimi i çipave Nvidia në armët ruse nuk përbën provë se kompania amerikane ua ka shitur drejtpërdrejt ato forcave të Moskës. Megjithatë, zbulimet e inteligjencës ukrainase ngrenë shqetësime për efektivitetin e kontrolleve të eksportit dhe për mënyrën se si teknologjia perëndimore mund të përfundojë në industrinë ushtarake ruse përmes kanaleve të paligjshme të furnizimit. /tvklan.al

Read Previous

Michael Carrick gjen klub të ri vetëm 13 ditë pasi u shkarkua nga Manchester United?

Read Next

Protestuesit në Prishtinë u bëjnë thirrje institucioneve: Nuk duhet të presim vrasjen e radhës