Cila është ndeshja që theu shtatë rekorde në historinë e basketbollit kosovar?

Por cila është ndeshja që mbahet mend më së miri në histori të basketbollit kosovar, e që solli edhe më shumë emocione sesa ajo mes Trepçës e Pejës? AsistiOnline rikujton ndeshjen më interesante ndonjëherë, përballjen historike e cila në vitin 2005 shkoi në tri vazhdime dhe gjatë të cilës ishin thyer 7 rekorde të basketbollit kosovar asokohe.

MABETEX – SIGAL PRISHTINA – 114:124 (90:90; 100:100; 108:108)

Ndeshja e 12 shkurtit 2005, Mabetex – Sigal Prishtina, është ndeshja e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në basketbollin e Kosovës dhe shumë rekorde që sot e kësaj dite mbeten në fuqi.

Ishte ky dueli më interesant, më dramatik dhe më maratonik në histori të basketbollit kosovar, rivalitet dhe derbi i prishtinas që nuk ekziston më, pas shuarjes së Mabetexit si klub pikërisht në edicionin 2004-2005.

Sfida Mabetex – Sigal Prishtina u zhvillua në një super-atmosferë të krijuar nga tifozët, Plisat e Prishtinës dhe Princat e Mabetexit, si dhe publiku kryeqytetas i cili me mbi 4 mijë shikues kishte stërmbushur sallën. Atëbotë, rivalët nga kryeqyteti, përgatiten një shfaqje spektakolare e cila edhe sot e kësaj dite mbahet në mend për emocionet që i dhuroi në të gjitha dimensionet.

Në atë ndeshje të vetme dhe super-sfidë ishin thyer plotë 7 rekorde dhe nga atëherë, shumica e rekordeve kanë mbetur  në fuqi.

Rekordi i parë ishte se sfida u pati vendosur pas tri palë vazhdimeve, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në vendin tonë, në konkurrencën e meshkujve.

Rekord i dytë i shënuar në atë ndeshje ishte numri i pikëve të realizuara në një ndeshje, me gjithsejt 238 pikë (114:124). Kjo shifër është kaluar vetëm edhe njëherë në Kosovë, gjatë stinorit 2018/19, kur Bashkimi e kishte mposhtur Borean e Pejës me 118 pikë dallim (183:63).

Për katër rekorde tjera të asaj kohe u përkujdes ish lojtari i Sigal Prishtinës dhe kombëtares shqiptare, Samir Shaptahoviqi. Rekordin e tretë, atë të pikëve të shënuara nga një lojtar në një ndeshje e kishte vendosur Samiri duke realizuar 58 pikë.

Rekordi i katërt dhe i pestë i vendosur në ndeshjen Mabatexi – Sigal Prishtina u vendos po ashtu nga Samir Shaptahoviqi dhe ka të bëjë me numrin e gjuajtjeve të lira të realizuara në total, si dhe përqindja e efikasitetit në më shumë se 20 tentime të bëra në një ndeshje. Shaptahoviq asokohe kishte shënuar shifra të paarritshme deri më sot duke qëlluar plot 31 gjuajtje të lira nga 34 tentime. Me këtë, Samiri arriti efikasitet fantastik dhe rekord të pathyer edhe sot e kësaj dite në elitën e basketbollit kosovar prej 91%.

Rekordi i gjashtë në këtë ndeshje dhe i katërti personal i Samirit në atë mbrëmje ishte numri i gabimeve personale të shkaktuara ndaj tij. Kundërshtarët e ndalën Samirin në mënyrë të palejuar plot 22 herë, rekord ky që edhe tani mbetet në fuqi.

E krejt në fund në këtë ndeshje maratonike të basketbollit kosovar, rekordi i shtatë dhe i fundit ishte totali i gabimeve personale të shkaktuara. Lojtarët e të dyja skuadrave së bashku kishin shkaktuar plotë 69 gabime personale, shifër kjo e cila deri më sot nuk është regjistruar asnjëherë edhe pse së fundmi, të enjten mbrëma në ndeshjen Trepça – Peja skuadrat shkaktuan 60 faula (Trepça 36, Peja 24).

/AsistiOnline.com/

Read Previous

Mandl: BE-ja duhet të përshpejtojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit

Read Next

India ndërpret eksportin e grurit