Cherki: Jemi në pozitë të vështirë, ndaj Arsenalit udhëtojmë për fitore

Manchester City dhe Napoli kanë ndarë pikët në një ndeshje dramatike të Ligës së Kampionëve, që përfundoi 2:2 në stadiumin “Etihad”.

Skuadra italiane, e cila u paraqit e hendikepuar nga mungesat e shumta, kaloi dy herë në epërsi, por nuk arriti ta ruante avantazhin deri në fund.

Rasmus Hojlund zhbllokoi rezultatin në minutën e 55-të, pas asistimit të Billy Gilmour, duke mposhtur Gianluigi Donnarumman me një goditje të saktë me të majtën.

City reagoi dhe barazoi me Ayoub Bouaddin, i cili shënoi golin e parë në karrierën e tij si futbollist profesionist, por Napoli riktheu epërsinë përmes Noah Langut, pas asistimit të Leonardo Spinazzolas.

Kur vendasit po rrezikonin të pësonin një tjetër humbje, Rayan Cherki u shfaq në minutën e 86-të dhe me një goditje të saktë brenda zonës vendosi rezultatin përfundimtar 2:2.

Ky barazim nuk e ndihmon Cityn ta ndërpresë serinë negative në shtëpi, që sipas raportimit është më e gjata që nga viti 2008, ndërsa Napoli vazhdon të mos fitojë në udhëtimet ndaj skuadrave angleze, duke e çuar këtë seri në 12 ndeshje.

Rayan Cherki: Dëshiroja ta fitoja këtë ndeshje

Futbollisti i Manchester Cityt, Rayan Cherki, ka pranuar se skuadra e tij po kalon një periudhë të vështirë, pas barazimit 2:2 ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.

Francezi, i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 86-të, u shpreh i zhgënjyer që City nuk arriti ta fitojë ndeshjen, duke theksuar se skuadra duhet të punojë më shumë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

“Dëshiroja ta fitoja këtë ndeshje. Mundohemi të japim gjithçka në fushë, por ndonjëherë ndeshja nuk shkon ashtu siç dëshiron dhe kjo po na ndodh në dy apo tri ndeshjet e fundit. Duhet të punojmë më shumë dhe të rikthehemi. Unë thjesht dua t’i fitoj ndeshjet. Është e vërtetë që jemi në një pozitë të vështirë, por në Londër, ndaj Arsenalit, do të udhëtojmë për fitore”, deklaroi Cherki për TNT Sports.

City tani e ka përpara një sfidë të vështirë në udhëtim te Arsenali, në një ndeshje që mund të jetë shumë e rëndësishme për rikthimin e skuadrës së Pep Guardiolës në rrugën e fitoreve.

Ndërkohë, barazimi me Napolin ishte ndeshja e tretë radhazi në të cilën kampioni anglez nuk arriti të marrë fitoren. /KosovaPress/

Read Previous

Punëtorët e KEK-ut punojnë deri në orët e vona për rikthimin e bllokut B1

Read Next

Sot protestohet në Prishtinë kundër vr*sjes së grave, kërkohen ndryshime ligjore