ChatGPT arriti një milion përdorues vetëm pesë ditë pas lansimit

Sipas informacioneve që vijnë nga vetë shërbimi, mjeti i AI ChatGPT arriti një milion përdorues vetëm pesë ditë pas lansimit në nëntor të vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për platformën që mund të prodhojë tekste të ngjashme me njeriun dhe që është përdorur për të gjitha llojet e përdorimeve, nga shkrimi i tregimeve të shkurtra, prozës, muzikës, zgjidhja e problemeve matematikore dhe kryerja e përkthimeve.

Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar tashmë se teknologjia e AI si ChatGPT “mund të zëvendësojë njerëzit në punë me jakë të bardhë”.

Dhe Microsoft konfirmoi së fundmi një investim shumë milionë dollarësh në kompaninë amerikane OpenAI, krijuese e ChatGPT.

Por sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shërbimeve të tjera të njohura në internet në përgjithësi u është dashur shumë më tepër kohë për të arritur shifrën e një milion përdoruesve.

Instagrami është ndër ata që i afrohen më shumë. Shërbimi popullor i mediave sociale arriti një milion përdorues në vetëm 2.5 muaj, megjithëse i matur përmes shkarkimeve të aplikacionit.

Spotify dhe Dropbox gjithashtu e arritën këtë shpejt – në pesë dhe shtatë muaj, përkatësisht, duke qenë shërbime që si ChatGPT ofrojnë një përdorim praktik të menjëhershëm.

Përveç Instagram-it, shërbimet e mediave sociale zakonisht kërkonin pak më shumë kohë për të fituar një milion përdorues. /Telegrafi/

Read Previous

Donald Trump do të lejohet të kthehet në Facebook dhe Instagram

Read Next

Kurti: Eksporti me Kroacinë është trefishuar ndërsa importi është dyfishuar