Tiranë/ Kryeqyteti mirëpret Komunitetin e ri Politik Europian
Komuniteti i ri Politik Europian do të zhvillohet në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Edi Rama bëri me dije lajmin, duke thënë se ky është një fakt se vendi ynë po pozicionohet në arenën ndërkombëtare:
“Mirëmëngjes, dhe me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkroi kryeministri Edi Rama.
SHBA/ Nisin hetimet ndaj Shërbimit Sekret
Ka nisur një hetim ndaj Shërbimit Sekret, i cili lidhet me mënyrën e menaxhimit të atentatit ndaj Donald Trump, në ditën kur sulmuesi i armatosur rrezikoi jetën e Trump, gjatë fushatës në Pensilvani. Hetimi ka nisur nga Inspektori i Përgjitshëm i Departamentit amerikan për Sigurinë e Brendshme dhe do të bëjë vlerësimin e procesit të Shërbimit Sekret.
Në njoftim nuk është bërë me dije se kur ka nisur, por presidenti aktual, Joe Biden, ka urdhëruar që të bëhet në mënyrë të pavarur. Ngjarja dhe e gjithë dinamika e saj kanë ngritur dilema se si ia doli 20-vjeçari i armatosur të ngjitej mbi çati dhe të qëllonte karshi Donald Trump.
Paris/ 3 të plagosur, pasi makina futet në një kafene në Paris
Një makinë u fut në një kafene në Paris, duke terrorizuar njerëzit dhe duke shkaktuar 3 viktima. Ngjarja ka ndodhur pak para Lojërave Olimpike, të cilat do të mbahen pikërisht në kryeqytetin francez. Nuk dihet ende arsyeja e shoferit për të shkaktuar një kaos të tillë.
Një burim nga komisariati i policisë, u shpreh se shoferi u largua nga vendngjarja, ndërkohë që është arrestuar një pasagjer, i cili ndodhej në makinën e tij. Ndërsa një tjetër person anonim u shpreh se pasagjeri ka dalë pozitiv në testet e drogës dhe alkoolit.
Gaza/ Netanyahu thotë se do të rrisë presionin ndaj Hamasit
Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, u shpreh se do të rriste presionin kundrejt Hamasit, në territorin e shkatërruar të Gazës, edhe pasi është përballur me kritika të shumta për numrin e lartë të civilëve të vdekur gjatë ofensivës izraelite.
“Kjo është saktësisht koha për të rritur edhe më shumë presionin, për t’i kthyer në shtëpi të gjitha pengjet, të gjallë dhe të vdekur dhe për të përmbushur të gjitha objektivat e luftës”, u shpreh kryeministri izraelit, ndërsa sulmet vijojnë të ashpërsohen dhe çdo ditë regjistrohen dhjetëra viktima në Gaza. Në fundjavën e kaluar, u vranë më shumë se 90 njerëz, nga bombardimet e Izraelit në të ashtuquajtura “zona të sigurta”. /Anabelmagazine/