Çeku: Është siguruar buxheti për të gjitha stadiumet

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”. Ministri Hajrulla Çeku bëri të ditur se për të gjitha stadiumet është siguruar buxheti.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka theksuar se pajtohet pjesërisht me audditimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ministri Çeku raportin e tij e nisi me stadiumin e Gjilanit mbi të cilin njoftoi për shkëputjen e kontratës me operatorin që ka qenë duke i realizuar punimet . Sipas tij, në koordinim me Komunën e Gjilanit shkëputja është bërë para se të bëhet raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Kemi nisur analizën e gjendjes dhe kemi nisur procedurën e prokurimit të hapur të rregullt për kontraktimin e operatorit për hartimin e projektit zbatues, sepse në operatorin e kaluar nuk kishte projekt zbatues final”, ka deklaruar Çeku.

Ministri Çeku ka thënë se plani është bërë dhe se bashku me Ministrinë e Financave është hartuar dhe ndarë buxheti për këtë stadium që kap shifrën rreth 15 milionë euro. Ndërsa ka thënë se me Komunën e Gjilanit është arritur një memorandum në zbatimin e procedurave të prokurimit.

Çeku bëri të ditur se për të gjitha stadiumet është siguruar buxheti, duke përfshirë edhe stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, për të cilin janë siguruar rreth 13 milionë euro.

Ministri Çeku më tej shtoi se janë trajtuar edhe rekomandimet e ZKA-së lidhur me kategoritë, konsultave me UEFA-në dhe të tjera. /RTK/

Read Previous

Rizvanolli investitorëve të mundshëm: Mos i harroni sistemet solare për ngrohje të ujit sanitar

Read Next

Botërori i klubeve dhe Champions-i i ri, FIFA shpërblen klubet me miliona