“Plazhe mahnitëse, apartamente me 500 dollarë dhe fluturime të lira: Pse 3 amerikanë u zhvendosën në Shqipëri?” Ky është titulli kryesor i “Business Insider” që i dedikohet vendit tonë së fundmi.
Lideri amerikan global i biznesit tregon historinë e amerikanes Alicia Walter dhe bashkëshortit të saj, Nathan Stark, që kanë udhëtuar kudo nëpër botë, por nga të gjitha vendet, Shqipëria ishte ajo që u vodhi zemrat, aq sa u zhvendosën nga San Diego në Tiranë në vitin 2023.
“Shqipëria është absolutisht e mrekullueshme dhe ende ndihet e paprekur nga turizmi masiv, veçanërisht krahasuar me destinacione të tjera evropiane si Barcelona, Parisi, Londra, Roma dhe madje edhe Praga”, shprehet Walter.
Ndër të tjera amerikanët theksojnë se ushqimi shqiptar është ndër të preferuarit e tyre dhe vendasit janë jashtëzakonisht mikpritës.
Një nga faktorët më të mëdhenj në vendimin e Alicia Walter për t’u zhvendosur në Shqipëri ishte politika e saj e vizave dhe çmimet e lira, pasi kostoja e lirë e jetesës në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është gjithashtu një përfitim i madh, shprehet amerikanja për “Business Insider”.
Ndërsa një shqiptare e lindur në Amerikë, Kelsey Linnell, planifikuese udhëtimesh, thekson se vendi mesdhetar është në hartë sepse së pari, është më i sigurt dhe se, së dyti, edhe pse është një destinacion i vogël, është shumë i larmishëm.
Për prestigjiozen “Business Insider”, Kelsey Linnell shprehet se është shumë lirë të udhëtosh në Shqipëri, kështu që kjo është një pikë e rëndësishme turistike për shumë vizitorë.
Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, “Business Insider” sjell edhe historinë e Cheryl Orlov, e cila u zhvendos nga Los Anxhelesi i SHBA-së për në Tiranë në 2023, ku sipas saj pagesa nën 500 dollarë në muaj për një apartament me dy dhoma gjumi sigurisht që ishte një përfitim i madh.
55-vjeçarja thekson se përtej akomodimit të përballueshëm në Shqipëri, e tërhoqi edhe ndërthurja unike mes historisë, kulturës, traditave dhe kulinarisë shqiptare. /tvklan.al