Burri kërcënon për vdekje gruan dhe vajzën, i sekuestrohen armë pa leje

Më 25 nëntor ka nisur fushata 16 ditore të aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, e cila synon realizmin e aktiviteteve të ndryshme me qëllim parandalimin e dhunës dhe trajtimin e rasteve me seriozitet. Me sloganin ‘Sot dhe çdo ditë tjetër!’, institucionet janë zotuar për përkushtim maksimal për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Pavarësisht kësaj, gjatë këtyre ditëve janë raportuar me dhjetëra raste të dhunës në familje. Rasti më i rëndë u shënua mbrëmjen e 29 nëntorit, kur Liridona Ademaj, u qëllua për vdekje nga një person, i cili dyshohet se u angazhua nga bashkëshorti i saj për ta vrarë.

Një rast i dhunës në familje u raportua gjatë ditës së djeshme në fshatin Koretin të Kamenicës,ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Burimet jozyrtare brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë, ku kryefamiljari pas akuzave ndaj bashkëshortes së tij, se po e tradhton me dhëndrin, dyshohet se me armë zjarri ka kërcënuar vajzën 26-vjeçare dhe mikun e tij.

Bazuar në dëshminë e viktimave, në rast kanë ndërhyrë nëna e e 26-vjeçares dhe vëllai i saj, të cilët kanë parandaluar ngjarjen që mund të shndërrohej në tragjedi.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë ka pranuar se posedon armë ilegale.

Sipas njoftimit të Policisë, 62-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar armët pa leje si në vijim:

  • Një (1) pushkë automatike e llojit AK 47,
  • Dy (2) karikator të pushkë automatike,
  • Njëqind e pesëdhjetë e tre (153) fishekë të kalibrit 7.62×39 mm
  • Një (1) pistoletë të llojit M57 e kalibrit 7.62
  • Dy (2) karikator të pistoletës dhe
  • Tredhjet e një (31) fishekë të kalibrit 7.62 mm
FOTO: Policia e Kosovës

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor. I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’./Sinjali/

Read Previous

Gruaja e denoncon burrin për dhunë psikike

Read Next

Vazhdon gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së