Bogujevci në Këshill të Evropës: Jam e mbijetuar e një masakre, Kosova qëndron krah Ukrainës

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, e cila po përballet me invazionin rus.

Në fjalimin para anëtarëve Asamblesë së Këshillit të Evropës, ajo ka thënë se Ukraina dhe ukrainasit janë përherë në mendjet dhe zemrat e kosovarëve, ndërkaq Kosova për herë të parë përveç pjesëmarrjes pati edhe të drejtën e fjalës.

Para të pranishmëve, Bogujevci ka deklaruar se i kupton mirë vuajtjet e ukrainasve, pasi edhe vetë është e mbijetuar e një masakre.

“Vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës së fundit në Kosovës. Të gjithë ne jemi me ju në këtë luftë dhe shpresojmë që të marrë fund sa më parë dhe drejtësia të triumfojë”, është shprehur ajo.

Tutje, nënkryetarja e Parlamentit ka thënë se Kosova është ndër demokracitë më të zëshme në rajon, ndërsa ka shtuar se “nuk kemi të ardhme tjetër përveç të jemi pjesë e familjes evropiane”.

“Nëse nuk më besoni, mund të vini edhe ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni. Kemi edhe vështirësi, përfshirë me fqinjët tanë dhe një të kaluar që nuk ka përfunduar shumë moti. Por, sot ne flasim për të ardhmen evropiane. Ne si Kosovë dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi Evropë. Nuk kemi të ardhme tjetër përveç të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Bogujevci ndër të tjera.

Ndryshe, në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që po mbahet këtë të martë, Kosova ka të drejtën e fjalës për herën e parë. /Telegrafi/

Read Previous

Si lufta në Ukrainë ka rindërtuar Europën?

Read Next

Kriza ushqimore, OKB-ja bën thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së grurit