Blerta Zeqiri: Rregullorja e Rabatit, hap i madh për kinematografinë kosovare

Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri ndau disa nga arritjet kryesore të vitit që lamë pas, duke vënë theks të veçantë në hyrjen në fuqi të Rregullores së Rabatit, e cila nënkupton skemën e rimbursimeve financiare për personat juridikë të huaj, të cilët realizojnë vepra filmike apo audio-vizuale në Republikën e Kosovës, përmes investimeve financiare nga jashtë.

Zeqiri theksoi se kjo rregullore do t’ua lehtësojë ndjeshëm punën kineastëve kosovarë dhe do të sjellë shumë përfitime për industrinë e filmit në vend.

“Them se viti 2024 do të mbahet mend për shumë ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur në kinematografinë kosovare. Por, njëra nga më të rëndësishmet ishte hyrja në fuqi e Rregullores së Rabatit”, u shpreh Zeqiri.

Sipas saj, kjo rregullore do t’u mundësojë kompanive të huaja të prodhojnë filma në Kosovë. “Kjo do të thotë më shumë mundësi për kineastët tanë dhe rritje të standardeve profesionale. Deri më tani, kemi arritur shumë suksese në festivale ndërkombëtare, por për sa i përket materializimit të profesionit, kemi hasur vështirësi. Tani, me Rregulloren e Rabatit, kjo do të ndryshojë ndjeshëm”, theksoi ajo. /RTKlive/

Read Previous

Papa e kritikon Izraelin, e quan “të turpshme” situatën në Gazë

Read Next

Presidentja e Meksikës ironizon me deklaratën e Trump