Bislimi: S’do të dorëzojmë propozime për rregulloren, por ide se si transferi i ndihmave për qytetarët serbë mundësohet brenda saj

Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka shpalosur detaje nga takimi në Bruksel me homologun e tij serb, Petar Petkoviq dhe të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Bislimi tha se në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e BQK-së, por ai thotë se janë diskutuar modalitetet se si kjo mund të arrihet brenda kësaj rregullore.

 “Në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e Bankës Qendrore, për arsye se Banka Qendrore e Kosovës ka monopol në dizajnimin e politikës monetare, por në atë moment kur një politikë dizajnohet atëherë janë qytetarët ata të cilët janë të ngarkuar me zbatimin e saj. Për shembull, kur unë udhëtoj në Londër dhe vozis në anën e majtë, unë bëhem hisedar në zbatimin e një politike të komunë trafiku që kanë aranzhuar institucionet në Britani të Madhe, e njëjta ndodh këtu. Ne kemi Rregulloren e Bankës Qendrore, e cila specifikon qartë se si duhet të kryhet importi dhe eksporti i monedhave dhe në atë moment që është vërejtur se kjo ka krijuar komplikime për bartjen e mbështetjes financiare që Serbia dërgon për qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, ne jemi të treguar të gatshëm të diskutojmë modalitetet se si kjo mund të arrihet edhe më tej brenda Rregullores së Bankës Qendrore”, tha Bislimi në ATV.

Sipas tij, ajo që do të dorëzojnë të premten, nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serbë është i mundshëm brenda kësaj Rregullore.

Kosova dhe Serbia, sot do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. /GazetaSinjali/

Read Previous

Ministrja Haxhiu sot shpërndan certifikatat për kandidatët që e kaluan Provimin e Noterisë

Read Next

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për rezolutën për armëpushim në Gazë