Begaj vlerëson figurën e Eliot Engel: Mik i madh i shqiptarëve, do të mbetet i paharruar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj vlerësoi sot ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel atë si një ndër miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, ndërsa shprehu ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta.

Kreu i Shtetit vuri në dukje në një postim në rrjetet sociale, rolin e rëndësishëm që Engel ka luajtur ndër vite në mbështetje të çështjes shqiptare, veçanërisht për Kosovën dhe në periudhat më sfiduese të historisë së kombit.

“Mik i madh i shqiptarëve dhe një derë gjithmonë e hapur për ta. Me mirënjohje të thellë, falënderojmë për gjithçka që bëri për Kosovën dhe për kombin shqiptar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë sonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ai shtoi se figura e Engel do të mbetet e paharruar në kujtesën e shqiptarëve, si një mbështetës i palëkundur dhe një zë i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

“Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve, si një nga miqtë tanë më të vyer, që qëndroi pranë nesh me përkushtim dhe guxim. U prehsh në paqe!”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës. /ATSH/

Read Previous

Kryeministri francez: Do të ndalojmë kaldajat me gaz në ndërtesat e reja nga viti 2027

Read Next

A rrezikon IA cilësinë dhe besueshmërinë e lajmit?