Bashkimi Evropian ka miratuar ndarje të reja fondesh në vlerë prej 6.1 miliardë eurosh për forcimin e sektorit të mbrojtjes së Ukrainës.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se fondet do të përdoren për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe kundër raketore, raketa, municione dhe radarë.
Vendimi është marrë në 35-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës dhe, sipas Komisionit Evropian, riafirmon përkushtimin e Evropës për të mbështetur mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës përballë agresionit rus.
Ndërkohë, në Kiev po zhvillohen takime në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, me pjesëmarrjen e liderëve në mënyrë fizike dhe përmes videolidhjes.
Në kryeqytetin ukrainas ka mbërritur edhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, i cili ka thënë se vizita e tij bëhet për të shënuar Ditën e Pavarësisë dhe për të riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Ukraina është një komb i lirë dhe guximtar. Lufta e saj është edhe lufta jonë”, ka deklaruar Costa.
Në anën tjetër, forcat ukrainase kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë shkatërruar 76 dronë rusë në sektorin e Zaporizhzhias.
Sipas autoriteteve lokale, shumica e dronëve të rrëzuar ishin të modelit rus “Molniia”, ndërsa veprimet e mbrojtjes ajrore kanë parandaluar goditjen e objektivave civile.